Frika e arrestimeve nga SPAK ka terrorizuar ish-kryeministrin Sali Berisha. Lëvizjet e tij për të shpëtuar nga burgu janë dhuna dhe kaosi. Berisha u shpreh ditën e djeshme se partia do të nisë protestat, por pa dhënë një datë të caktuar.
Në një konferencë për gazetarët nga selia blu, Berisha tha se protestat do të jenë të një lloji tjetër nga ato që janë zhvilluar më herët në vend. Ai tha se ato “nuk duhet të ndërpriten”. “Por, përpjekjen e opozitës duhet ta marrim si një proces.
Nuk është kjo një protestë që do të fillojë sot, do rrijë disa orë aty dhe pastaj do të shpërndahet. Kjo do jetë protestë e një lloji tjetër. Kjo kërkon një përgatitje të plotë, në radhë të parë psikologjike, politike, të gjithanshme.
Pastaj kur të fillojë, nuk duhet të ndërpritet. Sepse, nuk ka diskutim që thelbi i të gjithë përpjekjes së opozitës është mbrojtja e lirive të qytetarëve shqiptarë, votës së tyre, rikthimin i këtyre të drejtave”, u shpreh Berisha.
“Qytetari shqiptar përballet sot me probleme shumë të dhimbshme, të cilat ndoshta në një mënyrë a tjetër, edhe ia sfumojnë interesin për lirinë. Por, ne jemi këtu dhe do bëjmë gjithçka t’i bindim ata se të gjitha këto që ndodhin, kanë emërues të përbashkët mungesën e lirisë së tyre në çdo aspekt. Nëse opozita heq dorë nga kjo, firmos për të qenë fasadë e një regjimi që bazohet mbi krimin, drogën dhe vjedhjen e qytetarëve shqiptarë”, shtoi ai.
Nga konferenca e përjavshme me gazetarët, Sali Berisha hodhi dhe akuza në adresë të Ministrit të Brendshëm, Taulant Balla lidhur me operacionin antidrogë të Policisë së Shtetit në disa qytete nga ku raportohet se janë arrestuar mbi 200 persona.
“Është listë e formuluar në zyrën e Taulant Ballës për të mashtruar popullatën dhe komunitetin ndërkombëtar. Dënoj lirimin nga Taulant Balla të shoferit të shefit të komisariatit të Librazhdit, i cili i arrestua si trafikant droge bashkë me kushëririn e tij. Lirimi i tyre tregon se çfarë bllof-operacioni është ky”, tha Berisha.
Pa komentuar nuk la edhe arrestimin e Amant Josifit në Dubai, teksa tha se hetimi i aferës prej 2.4 miliardë Euro përmes call centerave u kushtoi largimin ish-Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë, Gledis Nano dhe atij të Shërbimit Informativ Shtetëror, Helidon Bendo.
“Ish-drejtori i përgjithshëm i policisë u shkarkua në mënyrë brutale nga detyra vetëm sepse ai, informacionin që mori nga partnerët, e dërgoi në destinacionet e duhura. Helidon Bendo, edhe ai duket se largimi me urgjencë nga SHISH, ka lidhje me këtë superskandal ndërkombëtar”, u shpreh Berisha.
Por avokati Spartak Ngekla e iroonizon:
“Ka folur si Haxhi Qamili. E njihni Haxhi Qamilin? Këtë thotë dhe Saliu. Do sulmoj tha, Korçën, edhe i vajti ambasadori francez dhe i tha kujdes se këtu preket interesi francez.
Dëgjo çfarë i tha Haxhi Qamili. Ku pyes unë për Francën kur kam Peqinin dhe Kavajën me vete.
Tani këtë thotë dhe Saliu. Do bëj luftë. Më çfarë? Si? Si Haxhi Qamili? Ku i ka përkrahësit që do marrin pushkën për Saliun në vitin 2023? Nëse ai nxjerr 100 mijë njerëz në protestë ndoshta tronditet dhe perëndimi dhe do kërkojnë zgjedhje të reja, por ky thotë do ta marr me dhunë” – u shpreh Ngjela.