Grushti i shtetit i 14 shtatorit të vitit 1998, do të mbahet mend si një nga ngjarjet më të shëmtuara të një shteti demokratik, qeveria e të cilit, e drejtuar nga kryeministri Fatos Nano, kishte dalë nga vota e lirë e qytetarëve.
Populli shqiptar e ka të ngulitur në memorien e tij, se si opozita e atëhershme, e drejtuar nga Sali Berisha, e armatosur me armë automatike, anti-tanke e granatahedhës shkatërroi institucionet dhe me dy tanke sulmoi me forcë Kryeministrinë, për të rrëzuar qeverinë e Fatos Nanos.
Kjo ngjarje e shëmtuar, e dhunshme për një shtet demokratik, bëri jehonë edhe në mediat e huaja, duke i prishur imazhin Shqipërisë. Ish-kreu i Shërbimit Informativ Shtetëror, Fatos Klosi dhe analisti i njohur, Frrok Çupi në një prononcim për gazetën “Sot”, rrëfejnë të pathënat e protestës së dhunshme të 14 shtatorit të vitit 1998.
Fatos Klosi tregon se kjo ngjarje ishte shumë e shëmtuar dhe e turpshme jo vetëm nga ata që e organizuan, por edhe nga vetë qeveria e asaj kohe, e drejtuar nga kryeministri Nano. Klosi deklaron se Fatos Nano ishte në dijeni për puçin që po përgatiste opozita dhe ia mbathi nga frika para se të ndodhte grushti i shtetit, duke e lënë shtetin në mëshirë të fatit.
Ish-kreu i SHISH deklaroi se Nano kishte plan që të ikte në Itali, që në datën 13 shtator, por si përfundim u fsheh në Maqedoni. Sipas tij, Nano e la shtetin në dorë të atyre që shkatërruan institucionet. “Fatos Nano u largua para grushtit të shtetit.
Të gjithë ishim në dijeni se ata diçka do bënin, por nuk na i merrte mendja se do të arrinin deri aty sa të shkatërronin shtetin. Ikja e kryeministrit ishte vërtet një qëndrim shumë i rëndë për shtetin. Askush nuk e dinte në Shqipëri se ku ishte kryeministri!?
Nuk e dinte as Presidenti dhe as ministrat e tij. Nuk kishte pse kryeministri të shkonte aq larg, saqë mos ta dinte askush! Situata ishte e frikshme, por kryeministri mund të shkonte në Dajt ose diku tjetër. Që në datën 13, kryeministri donte të ikte në Itali, por iku në Maqedoni”, deklaroi Klosi.
Vrasja e Azem Hajdarit
Më tej Fatos Klosi rrëfen se vrasja e Azem Hajdarit shërbeu si indicie që opozita e asaj kohe të organizonte grushtin e shtetit kundër qeverisë dhe institucioneve të shtetit shqiptar. “Vrasja e Azem Hajdarit u përdor si indicie për nisjen e grushtit të shtetit; u dërgua kufoma e të ndjerit Azem Hajdari në derën e Kryeministrisë.
Kjo ishte një ngjarje e organizuar kohë më parë. Nuk e di cili ka qenë qëllimi i vërtetë i kësaj ngjarje? Ndoshta për të treguar ja se çfarë mund të bëjmë ne me shtetin. Ajo që ndodhi, më pas e tregoi se ishte një udhë pa krye. Sepse, çfarë do bënin të nesërmen? Kush do shpallej kryeministër? Ata deputetë që ishin në Kuvend të asaj pale që organizoi grushtin e shtetit, nuk mund ta ndërtonin shtetin ligjor. Edhe ata që ishin në pushtet, nuk ishin në lartësinë e detyrës së tyre”, u shpreh Klosi.
Fatos Klosi e kujton këtë ngjarje me keqardhje, pasi shteti u shkërmoq. Ish-kreu i SHISH thotë se grushti i shtetit u la në mes nga vetë organizatorët, pasi PD me deputetët e saj në Parlament nuk mund ta krijonin dot shtetin ligjor. “Ishte vërtet një ngjarje shumë e rëndë. U shkatërrua shteti. Garda u përpoq ta mbrojë Kryeministrinë, por edhe Garda vetë u shkërmoq. Pati disa të plagosur. Organizatorët u futën nëpër zyrat e shtetit me dhunë. Askush nuk e kundërshtoi këtë organizim të dhunshëm. Policia u shpërnda.
Organizatorët e lanë vetë në mes atë që kishin nisur. Me siguri dikush iu tha: Po nesër çfarë do bëni? Ja i morët zyrat, çfarë do bëni, do t’i ndan i zyrat? Është e pamundur që në një demokraci të pretendohet të merret pushteti me grusht shteti. Ata që e patën shtetin në dorë nuk u përpoqën fare që ta mbronin. Është një ngjarje që të vjen siklet për ta kujtuar, qoftë nga njëra palë që e organizoi grushtin e shtetit, qoftë dhe për ata që duhet ta mbronin atë shtet”, nënvizoi Klosi.
Çupi flet për tentativat për të pushtuar ambasadën e SHBA
Ndërkohë nga ana tjetër, analisti i njohur, Frrok Çupi duke hequr një paralele mes të sotmes dhe asaj që ka ndodhur 25 vite më parë, analisti Çupi u shpreh gjatë një prononcimi për gazetën “SOT”, se Berisha nuk është më ai i pari. Sipas tij, në vitin e mbrapsht 1998, Berisha përveç institucionet, synonte që të pushtonte edhe ambasadën amerikane në Tiranë, dëshirë kjo që mbetet ëndërr në sirtarë, për shkak të presionit të madh amerikan që u ushtrua ndaj ish-kryeministrit. “Në vitin 1998 ka ndodhur vetëm një ngjarje tronditëse ku Shtetet e Bashkuara u detyruan të ndërhyjnë me përpikëri.
Berisha kishte ngrehur luftën dhe kishte deklaruar se kishte marrë qeverinë. Televizionin e morën dhe dhanë lajmin se ‘qeveria është në dorën tonë’. Si në Afrikën e prapambetur. Edhe disa ministri kishin rënë. Arkivolin e Azem Hajdarit e kishin futur në hollin e kryeministrisë, duke përdorur arkivolin si ‘kokë- dashin’ në 8 janar 2021, për të thyer portën e jashtme të kryeministrisë.
Kishin kapur edhe disa tanke të Gardës së Republikës dhe po i hynin Tiranës në themel me qëllim pushtimin dhe shpalljen e Revolucionit Fitimtar. Një nga tanket ishte nisur për të sulmuar Ambasadën e Shteteve të Bashkuara, sipas burimeve pranë Berishës”, deklaroi ai për gazetën “SOT”.
Uashingtoni alarmohet me Berishën
Më tej analisti i njohur, Frrok Çupi ka treguar për gazetën “SOT” edhe arsyen e madhe që zbythi Sali Berishën në vitin 1998. Sipas tij, Berishën e morën në telefon nga Uashingtoni dhe i vendosën ultimatum që të tërhiqej e mos shkaktonte dhunë.
Kështu që siç thotë analisti Çupi, kjo telefonatë solli kthesën e madhe në një kohë që Shqipëria prej disa ditësh ishte në kaos. “Kryeministri Nano kishte lënë zyrën dhe kishte shmangur gjakderdhjen. E vetmja ndërhyrje nga Shtetet e Bashkuara ishte kjo:
‘Alo, Saliu je?’‘Po, unë jam që mos qofsha! Më gënjyen këta të mijtë!’ ‘Mirë, mirë; por mos humbim kohë…’‘Yessir’. Merr tanket, çoji në Gardë, nxirr huliganët nga Televizioni Kombëtar dhe nga kryeministria…’‘Yes, sir!’‘Noë, noë!… ( Tani, tani!) Kjo ka ndodhur atëherë. Por atëherë ishte 24 vjet më parë, shtetin e kishte shkatërruar Berisha dhe e kishte gati për ta ngrënë vetë. Nuk kishte institucione.
Kishte vetëm shumë huliganë dhe kriminelë rreth Berishës…, kjo ishte garancia e tij. Tani asgjë nga këto nuk ekziston. Nuk ekziston më Saliu si mundësi për luftë e terror, as për politikë. S’kanë si ekzistojnë ngjashmëritë e tjera, kur nuk ngjan as Saliu me Saliun”, deklaroi analisti i njohur, Frrok Çupi për gazetën “SOT”.