Ish-deputeti i Partisë Demokratike, njëkohësisht, anëtar i Këshillit Kombëtar të PD-së së Sali Berishës, Aleksandër Biberaj shprehet i zhgënjyer me Berishën, për të cilën tha se erdhi me objektiva të qarta, por deri më tani ka vetëm ‘kërcënime boshe’.
“Po humbasim kohë. Berisha erdhi me objektiva tepër të qartë që të largonte përfundimisht Lulzim Bashën nga drejtimi i Partisë Demoratike, nuk ndodhi. Të unifikonte Partinë Demokratike nuk ndodhi, të rrëzonte Edi Ramën, asgjë nuk ndodhi.
Vetëm kemi kërcënime boshe, ‘do bëjmë protesta’. Ku janë protestat? Ku është populli? Edi Rama vazhdon punën e tij anti-kombëtare 24 orë”, tha ai.
I pyetur se nëse e ka thyer Berisha besimin e anëtarësisë përmes vendimmarrjeve, Biberaj pohoi se po, duke e krahasuar Berishën me kreun e Partisë Demorkatike Lulzim Bashën.
“Pa asnjë lloj diskutimi, ne jemi në kohën që duhet të kishim rezultat, se lider pa rezultat kishim Lulzim Bashën. Për 10 vite, duke bojkotuar Reformën Territoriale na shkaktoi kosto të jashtëzakonshme, duke djegur mandatet, duke bojkotuar zgjedhjet… Kështu që ne e kishim një model.
Ky (Berisha) po ecën në të njëjtin model. Nuk kemi asnjë lloj rezultati në opozitë. U bënë një palë zgjedhje lokale ku kemi 4-5 bashki të fituara.
Jemi në ditët më të vështira që ka kaluar ndonjëherë opozita. Dhe opozitarizmi. Këto emra nuk ngjalllin më asnjë interes, asnjë shpresë”- tha Biberaj për Panorama TV.
Teksa u pyet nëse mund të ishte Gazment Bardhi njëri prej emrave të demokratëve për kryeministër, ai tha se Bardhi nuk përfaqëson asgjë në PD dhe se nuk ka bërë gjë tjetër gjatë kësaj kohe në opozitë, veçse servilosjes ndaj Lulzim Bashës.
Sipas Biberajt, kryetari i PD-së duhet të zgjidhet sipas modelit të Partisë Republikanë në SHBA, pra përmes Primareve të rregullta.
“E projektoi Berisha, Bashën në 2004, i largoi të gjithë themeluesit. Janë prerë koka për t’u bërë Basha kryetar i PD. Nuk ka nevojë që të projektojë Berisha pasardhës. Të ndiqet modeli republikan në Amerikë. PD ka intelektualë. Po të shikosh PS si është katandisur, më gjej një socialist në Grupin Parlamentar të PS-së, përveç Pandeli Majkos…
Pa llogaritur pjesën e të inkriminuarve që PS i ka në të gjitha nivelet e qeverisjes. Ai që do fitonte garën brenda PD-së, do të ishte ai që duhet të drejtonte PD-në.
Edhe primaret nuk kanë qenë zgjedhje të organizuara me lista të rregullta. Kishim primare ne në Tiranë, ku është sot Belind Këlliçi? Me minus 60 mijë vota. Të gjitha këto që do bëhej masakër zgjedhore dhe vjedhje votash dihej, nuk ishte diçka që nuk dihej. S’ka demokraci, s’ka pluralizëm.
PD ka nevojë për lidership të ri, për prurje të reja dhe janë me shumicë në opozitë. Është viti i 10 dhe Rama tallet me shqiptarët. Opozita rri. Nëse opozita ka gjetur rehat me qeverisjen e Ramës, koha do të sjellë lëvizje të reja, opozita të reja.
Gazment Bardhi kryeministër? Kryeministër i kujt? Ka qenë krahu i djathtë i Bashës, edhe nje fushatë që udhëhoqi në Elbasan e humbi. Nuk kanë personalitet, nuk kanë dinjitet. Çfarë i kanë dhënë PD-së këta, përveçse servilosjes ndaj Bashës? Ne na duhet dikush që fiton me Edi Ramën. Mendova se po bënit shaka.
Këto emra që përmendni ju e konsiderojnë PD-së plaçkë. Nuk bëjnë këta bashkimin e PD-së. Janë të kënaqur me atë opozitarizmin, iu hedh Rama ndonjë kockë dhe kaq. Imagjino që Basha që ishte kandidat për kryeministër, bëhet kryetar i një partize, sa për të qenë deputet”, u shpreh Biberaj.
Biberaj u shpreh se sipas tij, Partia Demokratike ka nevojë për garë dhe zgjedhje të figurave të reja.
“Nuk ka opozitë. Çdo bashkim i deputetë të opozitës është i mirëpritur, por PD nuk ringrihet me ketë lojtarë të vjetër. Dhe me këto metoda, hajde ulemi pijmë një kafe, bëjmë bisedime, ndajmë pushtetet e opozitës. Janë metoda të vjetra. PD ka nevojë për një proces të garës. Jemi sot këtu për shumë arsye.
Në 2013 nuk kemi pasur garë, kemi 10 vite pa garë. Koha po tregon që të gjithë këta po shohin interesat e tyre personal. PD duhet të futej në gare elektorale dhe te fitonte më i votuari, nuk ka pasur asnjë garë. Të gjitha aksionet politike i mori Basha se ja dhuroi Berisha dhe i keqpërdori. Kostot po i paguajnë demokratët, qytetarët”, tha ai