Rihetimi i aferës së Gërdecit rrezikon të sjellë furtunë brenda familjes “Berisha”, ku i pari që është vetëm një hap larg burgut është djali i ish-kryeministrit Sali Berisha, Shkëlzen Berisha.
Gjykata e Posaçme pranoi të premten e 8 shtatorit të këtij muaji kërkesën e ish-ministrit të Mbrojtjes, Fatmir Mediu për gjykim të zakonshëm në procesin për tragjedinë e Gërdecit, duke u tërhequr nga vendimi i marrë më parë për gjykim të shkurtuar.
Vendimi erdhi pasi ish-ministri Mediu i akuzuar për “shpërdorim detyre”, në datën 18 korrik tërhoqi kërkesën e bërë më parë për gjykim të shkurtuar, ndërkohë që mes të tjerash tre ditë më parë ai paraqiti në Gjykatën e Posaçme një listë prej 90 dëshmitarësh të cilët kërkon të merren në pyetje. Lista nis me ish-zv/sekretarin e Departamentit Amerikan të Mbrojtjes Gordon England dhe vijon me ish-ministra të mbrojtjes në Gjermani e Itali, ish-zyrtarë të NATO-s në Tiranë, ish-ministra të mbrojtjes në qeverinë shqiptare, zyrtarë dhe ish-zyrtarë të ushtrisë.
Në këto kushte mësohet se më 22 shtator gjykata do ta rifillojë procesin nga e para ku pritet të lexohet kërkesa për gjykim e prokurorisë e më pas, do të dëgjohen avokatët për përballjen gjyqësore me prokurorinë për çdo faqe të dosjes. Por rihapja e tragjedisë së Gërdecit, ku mbetën të vrarë 26 qytetarët dhe u plagosën qindra të tjetër, e njohur tashmë anekënd Evropës dhe i identifikuar me emrin e Sali Berishës, është një nga ato ngjarje që përfshin drejtpërdrejt familjarë të Sali Berishës, ndërsa punishtja e vdekjes ishte ngritur me lejen e këtij të fundit për të bërë para familja.
I biri i Sali Berishës, Shkëlzen Berisha, drejtonte nga distanca biznesin e vdekjes në Gërdec. Kështu që rihapja e hetimeve nga SPAK pritet të hapë “Kutinë e Pandorës”. Në skenë do të dalin dhe dy dëshmitarë kyç që mund të fundosin familjen “Berisha” për tragjedinë e “Gërdecit”. Por kush janë këta dëshmitarë dhe çfarë provash kanë në duar që implikojnë Shkëlzen Berishën?
Ish-sekretarja e Aldo Bumçit, me iniciale A.A dhe ish-Shefi i Përgjithshëm i Shtabit të Forcave të Armatosura dhe Luan Hoxha mund të tronditin pozitat e djalit të ish-kryeministrit, i cili është përmendur me pseudonimin “djali me sy peshkaqeni”, në librin e “Armët dhe çunat”, të gazetarit të njohur të New York Times-it Guy Lawson që rrëfen skandalin e trafikut të armëve shqiptare drejt Afganistanit dhe shpërthimit të frikshëm në Gërdecit.
Detajet nga dosja
Përveç Fatmir Mediut që është kryefjala, hetimet e fundit të SPAK janë përqendruar ndaj Shkëlzen Berishës dhe ish-ministrit të Drejtësisë, Aldo Bumçi. Ky i fundit nga dëshmitë dhe përgjimet del se i raportonte Shkëlzen Berishës rreth vendimit të qeverisë për punishten e vdekjes, ku demontoheshin armët.
Ish-ministri i Drejtësisë, Aldo Bumçi, nisi një faks për Gërdecin në adresë të Ministrisë së Mbrojtjes, në adresë të Shkëlzen Berishës. Nuk dihet ende se ku e ka bazuar Aldo Bumçi këtë vendim, pra për të nisur shkresat zyrtare në adresë të fëmijëve të ish-kryeministrit Sali Berisha. Vetë Aldo Bumçi e ka mohuar këtë fakt, por shumë shpejt ai u zbulua, pasi sekretarja e Bumçit e konfirmoi faktin në prokurori.
Raporti sekret i SHBA
Por, Bumçi nuk i raportonte Shkëlzenit vetëm nëpërmjet faksit, por edhe drejtpërdrejt. Takimet konfirmohen nga një raport sekret që ambasada amerikane në Tiranë i ka nisur Departamentit Amerikan të Shtetit. “Në një dëshmi, sekretarja e ministrit të Drejtësisë, Aldo Bumçi, tregoi për të paktën dy takime mes Bumçit dhe Shkëlzenit në 2007-ën.
Dhe kur u pyet për një letër që Bumçi i dërgonte Mediut për aprovim të projekt-ligjit që do t’i hapte rrugë çmontimeve në Gërdec, ajo konfirmoi që Bumçi kishte shkruar mbi kapak “Për Shkëlzen Berishën”. Pas kësaj dëshmie, Bumçi, ende një deputet (dhe një zagar sulmi i Partisë Demokratike), akuzoi ish-sekretaren e tij për shpifje dhe e paditi atë. E frikësuar, sekretarja publikisht deklaroi se dëshmia kishte qenë e falsifikuar”, thuhet në kabllogramin e ambasadës amerikane.
Dhe në të vërtetë Bumçi e paditi sekretaren e vet. “Nuk ka kallëzim për shpifje, ka kallëzim për dëshmi të rreme, që është vepër penale. Dëshmia e rreme përpara oficerëve të Policisë Gjyqësore. Një dëshmi e rreme nuk ka nevojë që të niset me kallëzim, por mund të niset dhe kryesisht dhe prokuroria është në dijeni të këtij kallëzimi, të kësaj dëshmie të rreme, që në korrik të vitit 2008”, deklaroi Bumçi.
Të gjithë raportonin te Shkëlzeni
Ambasada amerikane i raportonte DASH, se të gjithë raportonin tek Shkëlzeni. “Rrjedhjet e regjistrimeve telefonike zbulojnë se vetëm disa orë pas 15 marsit 2008 kur ndodhi shpërthimi në Gërdec, Ministri i Mbrojtjes, Mediu, e telefoni djalin e Berishës katër herë. Më tej, Mihal Delijorgji, pronar i Albademil (kompania që punonte në Gërdec) telefonoi Shkëlzenin vetëm 30 minuta pas shpërthimit. Nga janari deri në ditën e shpërthimit, Delijorgji e telefononte Shkëlzenin 56 herë. Përveç kësaj, janë konfiskuar shënime nga sekretaret e Ministrisë së Mbrojtjes që tregojnë se gjatë vitit 2007 dhe 2008 ish/ministri Mediu pati takime të shpeshta me Shkëlzenin. Në një takim thuhet se Shkëlzeni kërkoi që Mediu të rriste ritmin e furnizimit me municione të Gërdecit”, thuhej në Kabllogram.
Dëshmia e sekretares
Sekretarja e Bumçit mban iniciale A.A. Teksa është marrë në pyetje, ajo ka deklaruar se në kohën kur është dërguar faksi, sekretarja tjetër ishte me leje dhe ajo ka mbuluar të dyja turnet. “Ministri Bumçi shkruante me një lloj stilolapsi me bojë, por që shkruante si stilograf. Në rastin konkret shikoj që shënimi “për trajtim” është i ministrit Bumçi. Firma nuk duket si ajo e ministrit Bumçi dhe nuk e identifikoj dot. Më kujtohet kur e kam nisur faksin dhe shënimi i vendosur me shkrim dore tek cepi i majtë lart:
“Për z. Shkëlzen Berisha”, është shkrimi i ministrit të asaj kohe, Aldo Bumçi. Këtë faks e kam nisur unë për tek Ministria e Mbrojtjes. Ministri më udhëzoi që t’ia nisja Ministrisë së Mbrojtjes me faks shkresën që kishte vënë shënimin “Shkëlzen Berisha. Nga Ministria e Mbrojtjes më ka marrë një zë femre dhe më ka thënë se ata nuk kishin asnjë njeri me atë emër. Unë i kam thënë që ma kanë dhënë faksin për ta nisur dhe se unë vetëm po nisja faksin”, tha në dëshminë e saj ish-sekretarja e ministrit Aldo Bumçi.
Takimet konkrete Shkëlzen Berisha-Aldo Bumçi
Sekretarja ka vazhduar bisedën me personin tjetër, i cili insistonte se në Ministrinë e Mbrojtjes nuk kishte asnjë Shkëlzen Berisha, por një Shkëlzen Madani. Lidhja Shkëlzen Berisha-Aldo Bumçi nuk ka ekzistuar vetëm në letra, por edhe në takime konkrete. Sekretarja e ministrit Bumçi ka dëshmuar për disa takime të zhvilluar në zyrën e këtij të fundit në Ministrinë e Drejtësisë.
“Unë njoh një shtetas me emrin Shkëlzen Berisha, i cili ka ardhur dy herë për të takuar ministrin Aldo Bumçi në zyrë. Rasti i parë ka qenë me fillimin e punës si ministër të zotit Aldo Bumçi. Unë e kam parë kur po dilte nga zyra ku ishte futur gjatë kohës që në turn ishte sekretarja tjetër, me iniciale R. Rastin e dytë nuk e kujtoj saktë si muaj, por mbaj mend se më kanë njoftuar nga sporteli e më kanë thënë se zoti Shkëlzen Berisha do të takojë ministrin”, ka pohuar sekretarja.
Dëshmia e Luan Hoxhës
Një tjetër dëshmitar që mund të fundosë Shkëlzen Berishën është dhe Luan Hoxha. Një kabllogram i Wikileaks tregon një raportim të Ambasadës në Tiranë për DASH, lidhur me atë që ndodhi në Gërdec. Kabllogrami i klasifikuar sekret raporton një bisedë në Ambasadë mes ambasadorit, stafit të ngushtë të tij dhe ish-shefit të Shtabit të Ushtrisë, Luan Hoxha. Ky i fundit thotë se Shkëlzen Berisha e ka kërcënuar dhe shton se ish-ministri Mediu ka ndjekur gjithë procesin në detaje. “…Në një takim të kërkuar me ambasadorin, Hoxha tregoi historinë e tij që qëndronte pas shkarkimit që iu bë kohët e fundit duke e lidhur këtë me shpërthimin e Gërdecit.
Në ndryshim nga ish-ministri i Mbrojtjes, Fatmir Mediu, i cili nëpërmjet deklaratave publike u vë fajin operativëve të ushtrisë për Gërdecin, Hoxha deklaroi në Ambasadë se që nga fillimi se ish-ministri Mediu ka marrë të gjitha vendimet, nga zgjedhja e Gërdecit si vend për shkatërrimin e municioneve, deri tek llojet e municioneve që do të shkatërroheshin dhe planifikimi i kohës se kur do të bëhej shkatërrimi.
Hoxha pranoi se stafit të tij ishte thënë të transportonte municionin në atë vend dhe të ruante vendin, asgjë më tepër. Hoxha tha se kur ai vizitoi Gërdecin në mes të 2007-ës, ushtarët e tij po bënin këto dy detyra, dhe në sipërfaqe u duk se s’kishte asgjë të gabuar. Ai akuzon se gjatë pjesës së dytë të projektit, nisur në dhjetor 2007, ishte urdhëruar nga Mediu, pavarësisht shqetësimit të tij drejtuar me një letër kryeministrit Berisha, zonjës Topalli dhe Mediut.
Del në skenë emri i Shkëlzen Berishës
Pas kësaj, presioni mbërriti përmes telefonit nga një ‘djalë i ri”, i cili më pas u konfirmua si Shkëlzen Berisha, djali i kryeministrit, që e urdhëroi të vijonte dërgimin e municionit të kalibrit të lartë në Gërdec, “pa asnjë vonesë”. I pyetur nëse e kishte raportuar këtë informacion për Prokurorinë e Përgjithshme, Hoxha u përgjigj “po”, ai kishte dhënë të gjitha informatat dhe dokumentet për hetuesit, me përjashtim të informacionit lidhur me djalin e Berishës. Mbi këtë ai tha se nuk ndihej i sigurtë që të fliste.
Ambasadori i tha se nëse hetimet e prokurorisë do të jenë të suksesshme ata që dinë të vërtetën duhet të flasin hapur. Hoxha ishte dakord se në interes të drejtësisë ai duhej të fliste hapur, por nuk konfirmoi që do ta bënte këtë. (shënim: Hoxha tha se ka plot të tjerë që e dinë këtë informacion). /Rigels Seliman