I burgosur politik, së bashku me të tjerë artistë të mëdhenj pas Festivalit të 11-të të muzikës së lehtë shqiptare, Sherif Merdani kaloi një kalvar të gjatë vuajtjesh.
Në një intervistë të dhënë pak para se te vdiste ai rrëfente peripecitë që kishte kaluar familja e tij në regjimin komunist. Merdani kujtonte se si i dënuan babanë e tij me 15 vite burg. Se si i morën 4 kuintalë e gjysëm flori. Apo kur ne moshën 10-vjeçare çonte vëllanë e vogël 6 muajsh në burg, që t’i jepte gji e ëma.
“Mua më quajnë Sherif Merdani, një ish-i burgosur politik, por si personazh jam produkt i dy njerëzve që përfaqësojnë dy kultura të ndryshme në Shqipëri, baba është korçar dhe nëna shkodrane.
Familja ime ishte një familje tregtarësh. Këtë personazh (Enver Hoxhën) familjet Merdani nuk e pranonin të futej në Shtëpi. Them se kjo u bë shkak Qemal Merdanin, babën tim e dënuan 15 vjet, dhe ndërkohë që ai bënte gjyqin, fare afër këtu është një fushë dhe unë luaja futboll me shokët e mi.
Isha 7-8 vjet, nuk e kuptoja fare se çfarë po ndodhte në jetën tonë, familjen tonë. Babën e dënuan dhe i morën 4 kuintalë e gjysmë flori. Ne na kishte lënë baba një lopë të madhe që e kishte marrë në Shkodër. E shitëm lopën dhe e paguam.
Pas një muaji na erdhi përsëri taksa. Atëherë morën edhe nënën në burg. Këtu kemi një dramë që nuk e besoj ta keni dëgjuar. Vëllai i vogël ishte 6-7 muajsh dhe unë Sherifi 10 vjeç, e merrja të mbështjellë e çoja në burgun e Korçës, i jepte gji nëna në mes të dimrit -10 gradë, dhe e ktheja përsëri në shtëpi”,- tregonte ai në këtë intervistë biografike.
Këngëtari Sherif Merdani iku ne amshim duke marrë me vete gëzimet dhe dhimbjet e jetës. Dhimbja më e madhe e këngëtarit ka qenë lëndimi i zemrës së nënës kur atë e burgosën. Kënga “Sinfonia e nënës” mbetet ndërsa tashmë ai do të banojë përjetësisht pranë saj në qiell.