Numri i personave që kanë humbur jetën në Marok për shkak të tërmetit me magnitudë 6.8 të shkallës Rihter që u shënua mbrëmjen e 8 shtatorit 2023 ka shkuar në 1037 raporton televizioni shtetëror i Marokut duke cituar autoritetet e ministrisë së Brendshme.
Ndërkohë në një njoftim të pak orëve më parë autoritetet folën për 672 persona të plagosur, duke përfshirë 205 të cilët ishin në gjendje të rëndë.
Epiqendra e tërmetit me magnitudë 6.8 të shkallës Rihter që u shënua rreth orës 23:11 me orën lokale ishte 72 kilometra në jugperëndim të qytetit turistik, Marakesh njoftoi Shërbimi Gjeologjik i Shteteve të Bashkuara ndërkohë lëkundjet e fuqishme u ndien edhe në qytetet bregdetare Rabat, Kasablanka dhe Esaourija.Thellësia e tërmetit ishte 8 kilometra.
Ndërtesa të shkatërruara papritur, njerëz që vrapojnë në rrugë, njerëz që gërmojnë me duar nëpër rrënoja, dhjetëra shtretër të improvizuar në shesh. Janë pamjet e videove të publikuara në Twitter menjëherë pas tërmetit shkatërrues që goditi Marokun
Dëmet më të mëdha u shkaktuan në Marrakesh dhe në fshatrat në malet Atla, në zonat e thella të vendit.Numri i viktimave mund të rritet pasi shumë njerëz mendohen se janë nën rrënoja dhe po vijohet me operacionet e shpëtimit.
Shumë njerëz në qytetin e Marrakeshit kaluan natën jashtë nga frika e postgoditjeve.
Xhamia e shekullit të XII-të, Koutoubia, në Marakesh, njëra nga më të famshmet u dëmtua nga tërmeti, por nuk është e qartë se deri në çfarë shkalle, raportuan mediat marokene.
Në një video të publikuar online dukej pluhur i bardhë që dilte nga minarja e saj 69 metra e lartë njihet si “çatia e Marakeshit” dhe njerëzit që bërtisnin të frikësuar se mos shembet.
Në shumë video të publikuara në rrjetet sociale duken dëmtimet e disa pjesëve të mureve të kuqe të famshme, të cilat e rrethojnë qytetin e vjetër Marakesh, një zonë e trashëgimisë botërore të UESCO-s.
Një tërmet i vitit 1960, me magnitudë 6.7 në Agadir shkaktoi vdekjen e më shumë se 12.000 njerëz.