Kujtojmë se dy ditë më parë anëtari i Organizatës Human Right Watch, Frederich Abrahams, ka dëshmuar në Dhomat e Specializuara të Hagës.
Ai është ballafaquar me një numër pyetjesh që ndërlidhen me raportet që i kishte ndërtuar sa ishte në Kosovë në kohën e luftës. Në këto raporte shumë pasaktësi ka gjetur avokati i Kadri Veselit, Ben Emmerson.
Këto pasaktësi që Emmerson i ka gjetur në disa prej raporteve, kanë shkaktuar një përplasje të ashpër. Avokati britanik e ka përballur dëshmitarin me disa gjetje lidhur me trupa të pajetë të gjetur në Gllogjan.
Pas pyetjeve të avokatit Emmerson, dëshmitari e pranoi gabimin. “Ju keni ricikluar propagandën serbe apo jo?”, e pyeti Emmerson.
“Duhej të ishte shkruar ndryshe”, u përgjigj dëshmitari. “Këto pretendime i morët nga pala serbe?”, pyeti sërish avokati britanik. “Po”, u përgjigj ai.
“Kur thoni vrasja e shtatorit të 1998-ës, a e kuptuat se në aktakuzë nuk ka vrasje në shtator”, e pyeti sërish Emmerson.
“Është formuluar keq…!”, u përgjigj dëshmitari.
“Kur po flisni për vrasjen e shtatorit… s’ka pasur fare vrasje… a ishte tërësisht e gabuar…”, insistoi Emmerson.
“Na thatë se jepni mësime për studentët. Ju duhet të bëni dallimin mes provave dhe vlerësimit forenzik. I vetmi vlerësim i saktë është se janë gjetur trupa të pajetë në Gllogjan në fund të 1998-ës….”, deklaroi avokati i Kadri Veselit.
“Fjalia duhej të ishte shkruar ndryshe, për pretendime se janë vrarë nga UÇK… Unë mund të të flas për një rast tjetër, për një pretendim”, u përgjigj dëshmitari.