Sali Berisha bën akuza të rënda dhe të mirëmenduara ndaj SPAK: Ka falsifikuar kundër meje tha ai në intervistën dhënë për gazetarin Çim Peka. Çfarë ka falsifikuar SPAK sipas tij?
Alba Malltezi
Sali Berisha dha një intervistë. Nga ato intervista që di të japë vetëm ai. Si ato deklarata që jep përherë në prag të ngjarjeve tepër të rënda, ku thotë gjëra që, të dëgjuara e ridëgjuara më pas, tregojnë më shumë se sa ato që kuptohen në momentin e intervistës.
Njësoj si kur foli për Gërdecin, njësoj si kur foli për 21 janarin. Njësoj sikur ka folur që në ditën e parë që ka vënë këmbën në politikën e të stërmunduarës Shqipëri. Ai tha gjëra shumë të rënda edhe për një politikan si ai, që “të rëndën” e “të kuqen” e kapërcen pa asnjë brerje ndërgjegje.
Mes të shumtave që tregoi, ra në sy sulmi i artikuluar ndaj SPAK. Jo se nuk e kishte sulmuar më parë, përkundrazi – por vini re -, bëri një akuzë specifike të mirëmenduar. Ndoshta e bëri atë intervistë në televizionin pranë tij, për të thënë pikërisht vetëm këtë gjë: “Që SPAK po më heton, dhe po heton vendime të bëra prej meje dhe që të hetojë është normale”, por…. sipas Berishës, Spak po falsifikon! Berisha tha: “Spak ka falsifikuar kundër meje!”.
Intervista e plotë dhënë për gazetarin Çim Peka mund të ridëgjohet dhe në faqen FB të ish-kryeministrit dhe kreut të PD Sali Berisha.
SPAK, në gjithë historinë moderne të Shqipërisë postkomuniste, është institucioni i drejtësisë shqiptare që më në fund, mes shumë mundimeve, mes një koinçidence historike individësh-ndërkombëtarësh-vullnet shtetbërje, po krijon një shtyllë të vetën kurrizore.
Sali Berisha me akuzat e tij ndaj SPAK nuk po bën asgjë të re nga ajo që ka bërë që në fillimet e tij ndaj Drejtësise shqiptare, ndaj Zef Brozit, Ina Ramës apo gazetarëve, politikanëve të tjerë, ndaj kujtdo që në vite “ka guxuar” ta prekë në rrugën dhe në qëllimet e tij apo të klanit të tij për pushtet, pasurim.
E reja sot do të ishte se si do të reagojë SPAK ndaj akuzave për falsifikim që i bën një politikan i kalibrit të Berishës? Ky dhe vetëm ky reagim i SPAK duhet pritur me shumë vëmendje, pa asnjë shpërqëndrim.