Jemi shqiptarë, por jemi në dy shtete në Shqipëri dhe Kosovë duke prezantuar dhe dy mentalitete në qasjen ndaj ligjit dhe ndëshkueshmërisë së zyrtarëve të lartë.
Nëse në Kosovë shoqëria civile dhe drejtësia vihen në lëvizje dhe për një abuzim sado të vogël me paratë e shtetit, në Shqipëri as që bëhet fjalë të lëvizë b***thën shoqëria civile apo të ndërhyjë drejtësia.
Ndonëse janë vjedhur miliona euro nga zyrtarë të lartë shqiptarë dhe për këtë ka dosje pas dosjeje të kopsitur mirë nga organet ligjzbatuese shqiptare dhe partnerët ndërkombëtarë.
Paralelet e frikshme mund të bëhen në rastin e Rrugës së Kombit, nga pjesa shqiptare dhe në atë në territorin e Kosovës, me shpenzime të ndryshme, si dhe me cilësi po të ndryshme.
Ku gjithnjë përsa i përket mungesës së cilësisë dhe sasisë së shpenzimit, shqiptarët e Shqipërisë janë të parët.
Nëse Lulzim Basha ish ministër i Transporteve dhe aktualisht kryetar i opozitës shqiptare vodhi 230 milionë euro të rrugës së Kombit dhe i shpëtoi burgut me raporte mjekësore e procedurë, në Kosovë për 53 milionë euro fillon hetimi dhe ta masin “kokën me spango”, duke rrezikuar madje dhe qeverinë që të rrëzohet.
Më konkretisht, shoqëria civile i është drejtuar sot, përmes një letre, institucionit të lartë të hetimit, duke i kërkuar të hetojë lidhur me “humbjen” e 53 milionë eurove të nxjerra nga buxheti i shtetit më të varfër në Ballkan për t’ia dhënë kompanisë “Bechtel Enka”.
Në përgjigje, kryeprokurori i Shtetit Aleksander Lumezi ka paralajmëruar nisjen e hetimeve nëse gjenden dyshimet e bazuara se janë kryer shkelje në rastin e “Bechtel Enkas”, së cilës Qeveria e Kosovës ia dha para disa ditësh 53 milionë euro.
Kjo shumë e parave të ndara për këtë kompani ka ngritur reagime nga shoqëria civile por edhe nga spektri politik e cila erdhi si pasojë e mos përmbushjes të detyrimeve të kontratës nga ana e qeverisë së Kosovës.
Shoqëria civile i është drejtuar sot kryeprokurorit Aleksander Lumezi përmes një letre, duke i kërkuar atij të marrë masa për humbjen e 53 milionëve nga buxheti i shtetit, dhënë kompanisë “Bechtel Enka”.
Sipas tyre, zhvatja e 53 milionë eurove ka adresën e institucioneve, ka vendimet e marra nga këto institucione dhe dokumentet përkatëse (kontrata specifike) të cilat shumë lehtë mund të tregojnë emrat e përgjegjësve ligjore për këtë plaçkitje të pasurisë publike.
Kryeprokurori i Shtetit, Aleksander Lumezi ka thënë të premten për gazetën “Express” se Prokurori ne bashkëpunim me task forcën speciale nuk e ka pritur letrën e shoqërisë civile, por sqaron se ka nisur grumbullimi i informatave për të gjetur nëse ka shkelje.
“Por disa ditë më herët ka filluar grumbullimin e te dhënave dhe informatave te nevojshme për të vërtetuar a ekziston dyshimi i bazuar se është kryer ndonjë vepër penale për të cilën ndjekja ndermirët sipas detyrës zyrtare”, ka bërë të ditur Lumezi.
Në skandalin e 53 milionëve, ish ministri Pal Lekaj dhe ish ministri i Infrastukturës Lutfi Zharku e kanë akuzuar njëri tjetrin për situatën e krijuar rreth kësaj shume të parave që i kushtoi buxhetit të shtetit.
Pavarësisht kësaj, “Bechtel-Enka” pikërisht ditën e sotme i ka futur 53 milionë euro në xhep, dhe e ka falënderuar Qeverinë për këtë. Por arsyetimi i kryeministrit Haradinaj ka qenë i çuditshëm.
Sipas “Express”-it kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka thënë sot në Kuvend se kontrata dhe vendimi për alokimin e 53 milionë eurove kompanisë “Bechtel-Enka” ka qenë i domosdoshëm, për t’i ikur Arbitrazhit dhe dëmit më të madh.
“Nuk kemi pas çare pa ia pagu paret, sepse i kemi gjet pa pagu 14 milionë që Qeveria e kaluar i ka lënë qaty. Dhe nga ky borxh është krijuar 53 milionëshi”, ka thënë Haradinaj./Pamfleti