Prokurori i SPAK-ut, Sotir Kllapi, duket se është një hap larg shndërrimit në një figurë historike, simbol i drejtësisë së re dhe hero i luftës për shembjen e pandëshkueshmërisë në Shqipëri. I trajnuar nga amerikanët, mësohet se prokurori Kllapi po harton relacionin për arrestimin e kreut të Partisë së Lirisë, Ilir Meta për dosjen e lobimit me para të pista në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Prokurorët e çështjes së Ilir Metës janë Sotir Kllapi dhe Arben Kraja, ndërsa hetimet po ndiqen nga kreu i SPAK, Altin Dumani, sot një nga njerëzit më popullorë në Shqipëri. Por mësohet se zoti Kllapi gjithë verën është ka punuar ( është ‘ngujuar brenda SPAK), ndërsa ka kopsitur e dosjen dhe janë plot 4 mijë faqe me prova, të cilët do të fundosin kupolën e LSI.
Mësohet se në kuadër të përfundimit të hetimeve për dosjen e lobimit, prokuroi special do të kërkojë arrestimin e Ilir Metës për falsifikim formularësh dhe fshehje pasurie. Nuk dihet nëse Ilir Meta do të përballet me drejtësinë duke përfunduar në burgun e Durrësit, aty ku e presin Alqi Bllako, Safet Gjici, Vangjush Dako, etj, apo do t’ia mbathë si dy shokët e tij Adriatik Llalla alias Tiku dhe Arben Ahmetaj alias “Tigri”. Vitet e fundit Meta e ka krahasuar veten me Mic Sokolin, Vojo Kushin, Mujo Ulqinakun etj, por mbetet për t’u parë se sa trim është kur të dalë urdhri i arrestit, pasi Meta nuk ka as imunitet.
Paralajmërimi
Por arrestimin kreut të PL, Ilir Meta, madje gjithë kupolës së LSI, e ka paralajmëruar dje indirekt edhe gazetarja e njohur e kronikës, Anduena Llabani. Kjo e fundit teksa ishte e ftuar në një studio televizive Llabani, bëri të ditur se së shpejti nga Prokuroria Speciale pritet vlerësim masash për çështjen e lobimit të ish-LSI në Uashington, për të cilën çështje është punuar mbi tre vite. “Në fakt jemi në atë pikë qe diskutojmë për emra të përvetshëm por që janë thjesht pjesë e një vendimmarrje të një shteti a të një pushteti. Kemi persona, zyrtarë, ish-zyrtarë të lartë emrat e të cilëve qarkullojnë në dosjet, emra të përshirë në afera korruptive, janë e mendimit që PS është e fituar duke dorëzuar këta emra. Dhe ka ardhur një pikë që ata janë gati të pranojmë edhe burgun.
Flitet që një prokurorë që ka një nga dosjet për parti të djathtë që ka qenë pjesë e koalicionit me socialistë, po flasim për ish kryeministrin Ilir Meta, për njerëz të tij të afërt, nëpunës të tij të cilët duket se çështja lidhur me lobimin, ka marrë formën e duhur të hetimit dhe shumë shpejt presim edhe veprime përfundimtare në lidhje me gjithë procesin ligjor që ka kreu i PL-së, por edhe zyrtarëve të tjerë. Çështja për lobimin ka më shumë se tre vite, janë mbi katër mijë faqe prova të mbledhura nga institucionet për provën e akuzës së lobimit. Dosjen e ka në dorë prokurori Sotiraq Kllapi, që mund të themi nuk ka bërë pushime fare gjate verës, ka qenë tërë kohës në zyrë duke kryer veprime për çështjen ne fjalë, dhe kam informacione që shumë shpejt mund të kemi vlerësim masash në lidhje me këtë çështje”, deklaroi Llabani.
Çfarë ka ndodhur?
Ish-presidenti Ilir Meta akuzohet se ka shpenzuar gjatë viteve 2016-2017 rreth 1.2 milionë USD për lobim në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Meta nuk ka deklaruar asgjë në ILDKPKI dhe në KQZ siç e parashikon ligji. Në bazë të provave të mbledhura, në qershor të vitit 2022, ish deputeti Halit Valteri referoi një kallëzim në SPAK. Në kallëzimin penal thuhej se Ilir Meta dhe Monika Kryemadhi kanë konsumuar 8 vepra penale, si fshehje të ardhurash, korrupsion pasiv dhe aktiv, pastrim parash, shpërdorim detyre, fshehje pasuri, mospagim taksash etj. Si fakte, në kallëzim thuhet se Ilir Meta dhe LSI-ja kanë lidhur kontrata lobimi në SHBA me kompaninë McKeon Group në vitin 2017, me vlerë qindra mijëra dollarë, duke fshehur shpenzimet si në KQZ, ashtu edhe në ILDKPKI, siç e parashikon ligji. Disa ditë më pas, bazuar në këtë kallëzim, SPAK regjistroi procedimin penal me numër 122, me dy akuza: Korrupsion dhe falsifikim të formularëve.
Prokurorët e kësaj çështje janë Sotir Kllapi dhe ish kreu i SPAK-ut, Arben Kraja, të cilin Meta e etiketoi si ‘Spurdhjaku i partisë që ka vendosur t’i shërbejë hapur mafies së inceneratorëve’. Për të provuar veprën penale të dyshuar, SPAK kërkoi informacion me letërporosi në SHBA. Autoritetet amerikane, në përgjigjen e kthyer, kanë konfirmuar pagesat e paligjshme për lobim. Kjo përgjigje fundos Ilir Metën dhe Monika Kryemadhin, të cilët duhet të zgjedhin se cili duhet të shkojë në burg. Kur SPAK mori në pyetje Ilir Metën, ky i fundit ia la përgjegjësinë Monika Kryemadhit, Petrit Vasilit dhe Endrit Braimllarit. Por, Vasili dhe Braimllari kanë pohuar në SPAK se ata nuk kanë lidhje me lobimin, as nuk kanë parë dhe as nuk kanë lëvizur para. Nga provat e mbledhura, Ilir Meta është identifikuar si koka e lobimit me para të pista. Meta e ka udhëhequr këtë veprimtari të paligjshme edhe kur ishte president.
Kush është Sotir Kllapi?
Prokurori i SPAK, Sotir Kllapi ka mbaruar Shkollën e Magjistraturës në vitin 2009. Fillimisht ka nisur punën si prokuror në Prokurorinë e Tiranës. Më pas ka ushtruar funksionin e prokurorit në Fier dhe Durrës deri në vitin 2014. Nga viti 2014 deri në vitin 2020, Sotir Kllapi ka drejtuar Prokurorinë e Pogradecit. Ndaj Kllapit nuk është regjistruar asnjë masë disiplinore. Gjatë karrierës, prokurori është vlerësuar shumë mirë prej Prokurorisë Durrës për vitet 2012-2013, është vlerësuar shumë mirë nga prokuroria Pogradec për vitet 2014, 2015 dhe 2016. Në maj të vitit 2020, Kllapi u emërua nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë në SPAK, duke u vlerësuar me 174 pikë, në krye të të gjithë kandidatëve, duke lënë pas Dritan Prençin, Vladimir Marën dhe Dorina Bejkon.
Procesi i vlerësimit të kandidaturave kanë marrë pjesë përfaqësues të SHBA-BE. Pas emërimit në SPAK, Kllapi ka marrë pjesë në disa trajnime me ekspertë nga SHBA dhe BE. Prokurori Kllapi kaloi me sukses dhe me lehtësi procesin e Vetingut në maj të vitit 2019. Kllapi u konfirmua në detyrë më 13 maj të vitit 2019, duke u vlerësuar pozitivisht në kriterin e pasurisë, pastërtisë së figurës dhe aftësive profesionale./Rigels Seliman