Lëvizja Socialiste për Integrim prej disa kohësh është përfshirë nga një krizë e brendshme. Edhe pse kryetarja e LSI, Monika Kryemadhi e ka evituar këtë fakt, duke mos e pranuar, një krizë e tillë sa vjen dhe bëhet më e dukshme sidomos pas largimit të Robert Bitrit.
Që prej daljes në opozitë dhe më konkretisht qysh në momentin që LSI faktoi aleancën opozitare me Partinë Demokratike disa deputetë të kësaj force nuk po i binden më Kryemadhit.
Konkretisht bëhet fjalë për deputetët Vangjel Tavo, Nasip Naço, Lefter Koka, Agron Çela, Edmond Haxhinasto dhe Viktor Tusha.
Të gjithë këta deputetë gjatë gjithë kësaj legjislature në një farë mënyre, ashtu si dhe Bitri, janë treguar “rebel” ndaj Kryemadhit pasi disa herë radhazi nuk i janë bindur urdhrave të saj sa i takon aksionit opozitar.