Udhëheqësi i Partisë Boshnjake për Veprim Demokratik (SDA), Bakir Izetbegoviç, në një intervistë me stacionin televiziv global Al Arabiya, bëri thirrje për përfshirje më të fortë të vendeve islamike në BiH për të kapërcyer Perëndimin e udhëhequr nga SHBA, duke e akuzuar atë se po punon në interes të kroatëve dhe serbëve.
“Perëndimi po ndihmon për të zgjidhur gjërat me marrëveshje, kompromis në dëmin tonë. Kjo është arsyeja pse nevojitet një ndikim më i fortë i vendeve islamike për të krijuar një ekuilibër. Vendet islamike duhet të qëndrojnë pranë nesh më fort.
Të tregojnë më shumë shqetësim,” tha Izetbegoviç në kanalin televiziv ndërkombëtar arab i lajmeve që financohet nga Arabia Saudite. Ai shtoi se situata në politikë sot është e ngjashme me atë të luftës kur Perëndimi vendosi një embargo armësh, gjë që i bëri boshnjakët të paaftë të mbroheshin.
Për zhvillimet e fundit ai akuzoi administratën amerikane, e cila, siç pretendon ai, favorizon palën serbe për shkak të luftës në Ukrainë. “Në radhë të parë janë SHBA-të, të cilat duan të stabilizojnë marrëdhëniet në Ballkan duke shkuar në favor të të fortëve në kurriz të kombeve më të vogla.
Para së gjithash, lëshimet ndaj Serbisë për ta larguar nga Rusia dhe Putini”, theksoi Izetbegoviç. Në një intervistë për Al Arabiya, ai deklaroi po ashtu se “Kisha Bosnjake” u hoq me forcë gjatë historisë në Bosnje dhe Hercegovinë për t’u lidhur me Vatikanin ose Bizantin.
Ai pretendon se gjithashtu, në territorin e Bosnjës dhe Hercegovinës së sotme, dikur të gjithë ishin “boshnjakë të feve të ndryshme”. Ai shtoi se kjo ndryshoi më vonë nën presionet dhe ndikimet e Kroacisë dhe Serbisë.