Nga Mero Baze
Katër emrat e rinj që hynë në kabinetin e Edi Ramës janë për herë të parë katër njerëz që kanë bërë vet historinë e tyre.
Ervin Mete, ministri i ri i Financave, është nga të paktët prurje të Universitetit më te famshëm të botës, Harvard, në Shqipëri, i cili ka ndjekur një nga një shkallët e karrierës politike dhe administrative me një përkushtim profesionisti.
Ai ka pasur disa poste të larta në administratën e shtetit, përfshi dhe zëvendësministër financash dhe së fundmi ka qenë drejtor i Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare. Aftësia e tij për të strukturuar punët në institucionet ku ka punuar është e spikatur, duke i dhënë atij identitetin e një burokrati modern financash, i cili me siguri do ta çmendë Edi Ramën, me vështirësinë për të firmosur çdo letër që i vënë para.
Igli Hasani, ministri i ri i Jashtëm, është po ashtu një diplomat i shkëlqyer shqiptar, i shkolluar mirë në Akademinë Mbretërore në Britaninë e Madhe, dhe që ka qenë pjesë e administratës së lartë të shtetit shqiptar deri ambasador i OSBE në Vjenë.
Prej aty ai dha dorëheqje pasi OSBE i besoi postin e koordinatorit Ekonomiko-Ambiental të OSBE-së, pozicioni më i lartë i mbajtur ndonjëherë nga një shqiptar në Organizatën për Sigurinë dhe Bashkëpunimin në Evropë.
Ai po ashtu shkëlqeu si diplomat në vitin që Shqipëria kishte kryesimin e OSBE, duke lënë një imazh të mirë tek gjithë partnerët ndërkombëtarë.
Arbër Mazniku është po ashtu një njeri i rritur politikisht në rrugë, dhe një profesionist i zoti, që u del zot debateve publike në të gjitha postet e zyrtarit të lartë ku ka qenë si zëvendësministër apo nënkryetar bashkie, ndryshe nga ministra dhe zyrtarë që fshihen nga debati publik.
Detyra e tij e re si ministër i Pushtetit Lokal, është një hap normal dhe i sigurtë, që e plotëson atë politikisht.
Ministrja e re e Shëndetësisë, vjen po ashtu nga një përvojë e gjatë dhjetëvjeçare si drejtoreshë e Administratës Publike të Shqipërisë, në krye të një institucioni i cili ka pasur këto dhjetë vite suksese dhe dështime të cilat kanë turbulluar politikën shqiptare.
Lëvizjet e tjera brenda qeverisë, natyrisht që nuk janë ndonjë lajm i ri, por dhe ato përpiqen të ruajnë profilin e disa politikanëve që kanë ende çfarë të japin.
Shumica e kryeministrave, por sidomos Edi Rama, nuk gabojnë kurrë kur heqin njerëz, por kur emërojnë njerëz. Këtë radhë të paktën i shpëtoi këtij rregulli.