Një ngjarje më te vërtetë e pabesueshme ka ndodhur sot në Milano, pak orë pas garës së Formula 1 në pistën e Monzës.
Piloti Karlos Sainz i Ferrarit, i cili e mbylli garën në vendin e tretë, është bërë viktimë e një grabitje.
Ai po largohej nga hoteli ku po qëndronte në Milano kur i janë afruar dy persona në rrugë. Ata i kanë marrë atij orën e dorës dhe janë larguar me vrap, duke menduar se do t’i shpëtonin.
Por si piloti, ashtu edhe truproja e tij dhe disa kalimtarë të rastit, janë vënë në ndjekje të tyre.
Ata i kanë arritur me vrap dy keqbërësit dhe i kanë bllokuar, derisa ka mbërritur në vendngjarje policia italiane e cila i ka arrestuar.
Sainz, pasi ka dhënë shpejt versionin e tij të ngjarjeve, është shoqëruar përsëri në hotelin ku po qëndronte në Milano.