Paga mesatare mujore bruto për një të punësuar në vendin tonë ka arritur ne 660 mijë lekë te vjetra. Në dhjetor të vitit 2021, ajo ishte 590 600, pra ka një rritje në masën 11%, që rezulton të jetë më e madhe se inflacioni i përgjithshëm 7 %.
Pra me llogaritjet që nxjerr INSTAT, rrogat janë rritur më shumë se çmimet, kurse në sektorin privat rritja është më e madhe. Kjo për dy arsye, për shkak të rritjes së pagës minimale dhe për sforcot e punëdhënësve për të mbajtur punonjësit në punë.
Kjo duket në sektorë të tillë si bujqësia, tregtia, ndërtimi e industria, ku punonjësit po marrin mesatarisht 60 000 lekë te vjetra më shumë se vitin e kaluar çdo muaj.
Bujqësia është sektori që ka rritjen më të madhe të pagës mesatare 18% krahasuar me një periudhë të një viti më parë. Të dhënat tregojnë se një i punësuar në banka,shoqëri sigurimi, kanë pagë mesatare deri në 3.5 herë më të lartë se të punësuarit në bujqësi, ndërtim e shërbime.