Aksionet e kohëve të fundit të Prokurorisë së Posaçme kanë nisur të shqetësojnë edhe Ilir Metën. Deri më tani ishte Sali Berisha më i frikësuari, i cili sa herë SPAK kryen arrestime, del në deklarata shtypi dhe sulmon. Kështu ndodhi me rastin e Sterilizimit.
Berisha ka dy javë që vetëm anatemon dhe sulmon prokurorët. Por duket se dje i ka dalë në mbështetje edhe Ilir Meta. Ky i fundit ka qenë i rezervuar këto kohë në daljet e tij, teksa dhe kur sulmon drejtësinë ka tentuar të jetë i përgjithshëm.
Por dje Meta ka sulmuar drejtpërdrejt SPAK, duke dhënë sinjale se edhe kreu i PL ka filluar të mos jetë rehat.
“Është e qartë që kemi të bëjmë me një drejtësi me regji, pasi është kryeministri aktual që jo vetëm ka kapur sistemin e drejtësisë, përmes ndryshimeve antikushtetuese që ka bërë gjatë zbatimit të reformës dhe krijimit të institucioneve të reja. Por është ai i cili vazhdimisht imponon kohën e organeve të reja të drejtësisë, rrezen e veprimit të tyre dhe njëkohësisht sikurse e keni vënë re.
Kohët e fundit është ai i cili që vlerëson ato veprime apo aksione, në mendimin tim modeste, duke u dalë për zot aferave dhe koncesioneve, duke bërë të qartë se në themel të këtij korrupsioni qeveritar qëndron vullneti i kryeministrit aktual”, deklaroi dje Meta nga Jala në një intervistë për televizionin “Syri Tv” të kontrolluar nga familja “Berisha”.
Më tej ai deklaroi se të gjitha aksionet e SPAK janë aksione që zhvillohen në periferi të skenës ku kanë ndodhur vjedhjet”, raporton “Pamfleti”. Sipas tij, SPAK drejtohet nga kryeministri dhe vepron sipas orekseve të tij.
“Është e qartë se rrezen e veprimit të SPAK e kontrollon Edi Ram. Është e qartë se ai përzgjedh personat që do goditen, shkallën e goditjes dhe kohën e goditjes. Prandaj është një drejtësi me regji”, nënvizoi ai. Po pse ka filluar të shqetësohet Meta? Në korridoret e politikës po flitet se SPAK këtë vjeshtë do të trokasë në derën e kreut të PL.
Pak muaj më parë ai u mor në pyetje për skandalin me CEZ-DIA, ndërsa hetimet janë thelluar dhe për lobimet në SHBA dhe për ndërhyrjet estetike. Mos vallë Ilir Meta po na paralajmëron se SPAK ka nisur t’i afrohet? Deklaratat e tij dje thonë që po, por mbetet të shihet se çfarë do të bëjë SPAK.