Burgu për Fatos Nanon ishte plotësimi i “puzzlit të jetës” së tij, për të thënë bindshëm shprehjen: Në jetë i provova të gjitha!
Në maj të vitit 1997 gjatë intervistës me gazetaren Rudina Xhunga, Fatos Nano rrëfen një bisedë të dhimbshme që zhvilloi me nënën e tij 6 muaj para ‘arrestimit politik’ të tij.
“Dua të kujtoj se 6 muajt e fundit para burgosjes, burgu mu bë një realitet gati i parashikueshëm dhe nisa të stërvitesha për izolimin nga bota, duke qëndruar për orë të tëra i vetëm në errësirën e dhomës sime.
Tre ditë para arrestimit tërhoqa veç nënën, që vuante nga zemra dhe mund të pësonte shok për shkakun tim dhe i thashë: “Mama, me mua mund të ndodhë gjithçka. Nuk dua të shqetësohesh”.
Ajo m’u përgjigj duke derdhur dy pika lot: “Unë të kam bekuar një herë kur i hyre kësaj rruge dhe do të të dua çfarëdo të ndodhë me ty. Mos ki merak për mua. Do bëhem e fortë.” Nuk arriti ta çonte deri në fund premtimin, pasi mosha dhe dhimbja bënë të vetën.”, rrëfen disa vite më parë Fatos Nano.
Orët e fundit kanë sjell përkeqësim të shëndetit të Fatos Nanos i cili është futur sërish në intubim në repartin e reanimacionit për shkak se parametrat jetësorë nuk janë në nivelin e duhur.