Nga Anri Bala
Pa hyrë në detaje për individin e rivarrosur pas shumë vitesh në vendlindjen e tij, ish prefektin e Tiranës Qazim Mulleti, një kolaboracionist, bashkëpuntorë i fashizmit, të shokon sjellja e shtetarëve dhe zagarëve të pushtetit me dylbi në dorë, e disa mendje të humburish që nxitojnë t’i bëjnë heronj, vetëm sepse shpresojnë që të fitojnë disa pikë me tradhëtinë e tyre demokratike 30 vjeçare.
Bashkëpuntorët e “façizmit dhe nazizmit”, që po nderohen sot, do të habiteshin dhe vetë nëse do ringjalleshin për trimërinë dhe aftësitë që paskan treguar në betejën midis Aleatëve dhe Boshtit Nazist dhe do rivdisnin në çast nga lumturia.
Natyrisht që mes antikomunizmit dhe antifashizmit ka një ndryshim të madh. Por komunizmi nuk
lindi në luftën e dytë Botërore, kishte lindur shumë vite përpara dhe dëmet që solli janë të mëdha për shtresat e kapitalit dhe kufizimin e aftësive të mëdha njerëzore.
Kolaboracionistët i sollën po aq dëme sa komunizmi popujve gjatë luftë së përgjakshme, duke bashkëpunuar në vrasjet, zhdukjet dhe masakrimin e miliona njerëzve, në emër të mbrojtjes së ideve të tyre nazi-fashiste.
Ndaj qëllimi i tyre nuk e justifikon mjetin dhe bota i ka dënuar me dënimet më monstruoze shumicën e kolaboracionistëve. Dënimet e tyre në Francë janë aq të tmerrshme, sa që nuk mund të përshkruhen me fjalë.
Ndëshkimet e para filluan nga qytetarët e Parisit, qysh ditën e çlirimit, ndaj femrave që kishin bashkëpunuar ose thjesht “flirtuar” me pushtuesit. Robert Aton në “Historire de l’Épuration” shkruan:
“Rreth dy mijë gra të akuzuara për kolaboracionizëm u kaluan të zhveshura lakuriq nëpër rrugët kryesore të Parisit ditën e Çlirimit. Disa u përdhunuan, ndërsa të gjitha u shtruan në dru. Prerja e leshit të pubisit ishte gjë e rëndomtë. Shëmti të mëdha ndodhën”.
Gjatë betejës për çlirimin e Parisit, 20 gusht-22 shtator 1944, në ujërat e Senës rezultonin të ripeshkuar 38 trupa, të zhytur me nga një gur në qafë, por që nuk i mbante dot gjatë kufomat e fryra nën ujë: trupa ende të veshur dhe me dokumente identifikuese nëpër xhepa.
Në nivel shtetëror, po në 1944-1945 në Francë, u organizuan Gjyqet Speciale kundër
bashkëpunëtorëve të pushtuesit, posaçërisht anëtarëve të kabinetit të Vishisë, të konsideruar qeveri kuislinge. Në të vërtetë, në dallim nga qeveritë e tjera kuislinge, kabineti i Vishisë kishte një specifikë: ishte qeveri e njohur ndërkombëtarisht nga shtetet e tjera, me përjashtim të Britanisë së Madhe, që kishte njohur qeverinë e De Gaulle-it.
Qeveria dhe të gjithë funksionarët e saj, deri në një nivel të caktuar kaluan nëpër procese gjyqësore dhe u dënuan. Kreu i shtetit, mareshali Pëten, i njohur si hero i Verdunit në Luftën I Botërore, u dënua me vdekje për tradhëti ndaj atdheut.
De Gaulle-i ia shndërroi në burgim të përjetshëm, të cilin Petën-i e kreu deri kur vdiq në moshën 95-vjeçare.
Philippe Laval-i, kreu i qeverisë, u gjykua dhe u dënua me vdekje. Lavali helmoi veten në qeli dhe kur gardianët që vajtën ta merrnin për ta shpënë në ekzekutim e gjeten në hjekë e sipër, përsëri e ekzekutuan ashtu gjysmë të vdekur, e pushkatuan nga shpina të ulur në karrige, siç pushkatoheshin simbolikisht tradhtarët.
Natyrisht që të gjitha këto veprime u bënë nga FTP (forcat partizane franceze), Fronti i Rezistencës. Megjithëse shumë njerëz u ekzekutuan si të pafajshëm, askush as sot në Francë, nuk do të guxonte t’i glorifikonte dhe t’i rivarroste si heronj.
Kjo është vetëm një dalldi dhe çmenduri shqiptare, ku vendi drejtohet nga gjithëfarë idiotësh, mëkatarësh, që fyejnë në mënyrë të turpshme, ato mijëra bijë nënash, që as nuk e dinin se komunizmi ekzistonte, por dinin se kishin një atdhe.
Kthimi si heronj i kolaboracionistëve me shprehjen: “Gjynah ka qenë burrë i mirë, ka vrarë 100 bijë nënash dje… bashkë me gjermanin, po ama i ka shpëtuar 5 a gjashtë”, është një humor i zi që e turpëron kombin dhe zhbënë sakrificën kombëtare të një rinie e një brezi me të vërtetë heroik, që dha jetën për atdhe kur tradhëtarët e ulur në prehërin e pushtuesve lanë brekët dhe familjet rrugëve për të shpëtuar kokën e tyre./Ekskluzive.al