Pas valës së të nxehtit, Zvicra është përballur me reshje të dendura shiu që kanë shkaktuar përmbytje dhe rrëshqitje balte, ndërsa është rishfaqur edhe bora.
Ditën e djeshme ka rënë borë në resortin e njohur dimëror të Zermattit, në lartësinë 1638 metra. “Temperatura pati një rënie mbresëlënëse, brenda katër ditëve. Të enjten, termometri i stacionit lexoi 31.2 °C. Dje në orën 11.15 ishte 0.5 °C”, raportoi shërbimi i motit MétéoSuisse në platformën X.
Shumë qafa malore në Alpe, si Gotthard dhe Zimblon, kanë mbetur të mbyllura, për shkak të reshjeve të shiut që nisën mbrëmjen e së premtes dhe shkaktuan rrëke balte. Shërbimet e trenave u anuluan në disa zona për shkak të rrëshqitjeve të dheut.