Lajmi i publikuar nga gazetari Mero Baze për operacionin e shtrenjtë, të cilit Sali Berisha i është nënshtruar në Vjenë, fatura e të cilit është paguar nga biznesmeni Agim Zeqo, i cili dyshohet se është ortak i Shkëlzen Berishës në kullën 64 katëshe në qendër të Tiranës, nuk ngre shqetësimin vetëm për financimet e errëta që qarkullojnë mes politikës dhe bizneseve të mëdha, por edhe pikëpyetje mbi shëndetin e Berishës.
Prej kohësh debati publik është përqendruar te korrupsioni i Sali Berishës dhe segmentet politike dhe të botës së biznesit që e mbajnë në sipërfaqe një politikan që prej kohësh është fundosur, në veçanti pas silurit të ardhur nga fuqia më e madhe në botë, SHBA dhe përcaktimi si non grata për korrupsion madhor dhe minim të demokracisë.
Megjithatë, zbulimet e fundit të bëra nga mediat për një operacion të shtrenjtë të paguar përmes kulisave, për të shmangur dyshimet që do të ngriheshin nga përdorimi i shumave të mëdha nga llogaria personale e Berishës, dëshmon se ish-kryeministri mban në fshehtësi gjendjen e tij shëndetësore pasi, pas disfatës së 14 majit, izolimit ndërkombëtar, hetimit nën të cilin ndodhet nga ana SPAK me shtysë të SHBA-ve, pranimi në publik se ai nuk është më në gjendje të vazhdojë angazhimin politik, do të ishte një goditje fatale për planet e tij për të vijuar pengmbajtjen e asaj pjese të demokratëve, gjithmonë e më e vogël, të cilën e përdor për të mbrojtur veten politikisht dhe për të vazhduar pazaret me Ramën.
Të gjithëve u ka rënë në sy sesi pas 14 majit Berisha është izoluar tërësisht, është mbyllur në selinë e PD që uzurpon me leje të Ramës, pasi asnjë ligj i shteti nuk ia njehë atë të drejtë. Mbyllja e tij brenda katër mureve, nuk është vetëm pasojë e braktisjes nga ana e demokratëve, që panë sesi manovrat e tij fuqizuan Metën dhe Ramën, por, mesa duket, edhe nga kufizimet fizike për shkak të gjendjes së tij shëndetësore.
Pavarësisht si i ka mbuluar Berisha shpenzimet e shtrenjta për operacionin në Vjenë, një politikan, një ish-kryeministër, ka për detyrë të bëjë transparencë mbi shëndetin e tij fizik dhe mendor.
Ndoshta nuk ka nevojë për shumë hulumtime mbi gjendjen e tij, pasi e shohim çdo ditë degradimin që përcillet me konferenca të drejtuara kundër SPAK, si një njëri që jeton i rrethuar nga frika e humbjes së gjithçkaje në muajt në vijim, por shqiptarët që enden spitaleve të vendit tonë, që nuk kanë fatin e Berishës, i cili kurohet në Vjenë, duhet të dinë se cila është gjendja e atij që pretendon t’i drejtojë. /Rigels Seliman
gels