Koncesioni i hemodializës vazhdon të shkaktojë shumë zhurmë pasi mbi të dyshohet se fshihen pazare të pista.
Gazetari Adriatik Doçi ka zbardhur dokumente duke zbatuar skemën “ndiq paranë”. Ai nxjerr për herë të parë emrin e djalit të Sali Berishës, Shkëlzenin.
“Në fillim të vitit 2016, shërbimi i dializës për të sëmurët nga veshkat u dha me koncesion për 10 vjet, me vlerë rreth 84 milionë euro. Koncensioni u fitua nga kompania DiaVita. Sipas kontratës me qeverinë, DiaVita do të ofrojë shërbimin e dializës në 5 qendra pranë spitaleve, përkatësisht në Lezhë, Shkodër, Korçë, Vlorë dhe në Elbasan.
Kontrolli i Lartë i Shtetit në disa raporte ka konstatuar se DiaVita ka marrë rreth 600 mijë euro pa nisur zbatimi i kontratës dhe në vijim ka marrë miliona euro në mënyrë të paligjshme për punë të pakryera, një skemë kjo e njohur për koncesionet abuzive në Shqipëri. Deri në tetor të vitit 2019, DiaVita ishte në pronësi të Spitalit Amerikan (15 % të aksioneve) dhe kompanisë Evita (85 % të aksioneve).
Spitali Amerikan, me administrator Klodian Allajbeu, është në pronësi të kompanisë Balkan Alliance Healthcare B.V., me seli në Amsterdam dhe me adresë në Naritaëeg 165, 1043 BE Amsterdam, përfaqësuar nga Klodian Allajbeu. Në mars 2023, Allajbeu i blen vetes së tij për 24 milionë euro kompaninë Balkan Alliance Healthcare B.V., nëpërmjet një tjetër kompanie (të regjistruar po në Hollandë), KA Healthcare BV, për një çmim të vlerësuar në rreth 24 milionë euro”, shkruan Doçi.
Skema me kushërirën e tij të parë
“Për t’i blerë spitalin vetes, Allajbeu ka marrë një kredi 16 milionë euro tek banka OTP Albania në pronësi të oligarkut rus të Putinit, Megdet Rahimkulov. Paratë e tjera do t’i gjejë rrugës! Autoriteti i Konkurrencës, Ministria e Shëndetësisë, Drejtoria për Parandalimin e Pastrimit të Parave, Krimi Ekonomik etj., heshtin. Ndërkaq, kompania Evita, e cila kishte 85 % të kompanisë DiaVita të koncensionit të hemodializës, ka një histori më interesante.
Fillimisht Evita ishte në pronësi të Majlinda Fetiut nga Berati. Kompania rezultonte e regjistruar me adresë një bar-kafe në rrugën “Barrikada” në periferi të Beratit. Lokali modest ishte ndërtuar në gjurmët e një ish gomisterie. Majlinda është vajza e xhaxhait të Klod Allajbeut.
Nuk dihet nëse Majlinda dhe bashkëshorti i saj Sali Fetiu, me 6 klasë shkollë, ishin të vetëdijshëm se ishin ‘fitues’ të një koncesioni 84 milionë euro, para që mund t’i kenë parë vetëm në ndonjë film. Paratë e taksapaguesve shqiptarë në duart e Majlindës nga rrethinat e Beratit! Duket e çuditshme se si SPAK-ut nuk i ka bërë ende përshtypje ky fakt”, shprehet gazetari Doçi.
Kamuflimet e Allajbeut
“Kur skemës me kushërirën e parë i doli boja, Majlinda e Allajbeut, në shtator 2016, ia shet kompaninë Evita, pra koncesionin e hemodializës, kushëririt të Petrit Vasilit, Rasim Hamazaraj dhe Ertel Kërçukut, për 30 milionë lekë. Kërçuku ishte një mjek anonim, punonjës i Allajbut. Hamzaraj merr 72.5 % të aksioneve të Evitës, ndërsa Kërçuku 27.5 %.
Nga ana tjetër, kur ishte vetë ministër Shëndetësie, Vasili i kishte dhënë Rasim Hamzarait, të cilin e thërriste Dajë Luçi, 13 milionë euro tendera. Siç rezultoi më vonë, Rasimi u përdor thjeshtë si gjethe fiku nga Klodian Allajbeu. Me 10 nëntor 2016 paketa maxhoritare e aksioneve të Evita Sh.p.k, e cila zotërohej nga biznesmeni kontrovers i faramaceutikës Rasim Hamzaraj, u ble nga kompania hollandeze Arimo B.V., për 160 mijë euro.
Sot Arimo ka 72.5 % të aksioneve të Evitës, e cila kishte 85 % të koncensionit të hemodializës, ndërsa 27.5% të aksioneve i ka Ertel Kërçuku. Arimo ishte e regjistruar në Holandë në të njëjtën adresë ku rezultonin edhe kompani të tjera të lidhura me Klodian Allajbeun. Arimo ka si adresë Nassaulaan 2 A, 2514 JS, Ëillemspark, Haaglanden, Hagë, Hollandë. Të njëjtën adresë ka edhe kompania VENDEKA EUROPEAN INVESTMENTS B.V, me pronar Klodian Allajbeun. Vendeka është pronare e kompanisë Agromark në Tiranë. As ky kamuflim nuk ishte i sigurt për Allajbeun”, u shpreh gazetari Doçi.
Kompania fantazmë
“Më 25 qershor 2019, kompania e koncensionit të hemodializës, DiaVita, e cila kishte kaluar nga Evita me Majlinda Fetiun, Hamzarain tek Arimo, iu shit kompanisë fantazmë suedeze Diaverum International AB, për 1.5 milionë euro. Kompania nuk ka fare aktivitet, deklaron zero të ardhura dhe zero punonjës. Nuk dihet se cili është burimi i parave kur kompania ekziston vetëm në letra. Sipas dokumenteve, Klodian Shehi mban pozicionin e drejtuesit të kompanisë ‘suedeze’ DIAVERUM INTERNATIONAL AB”, që sot ka në pronësi 100 % kompaninë DiaVita, që fitoi në 2016 koncensionin 84 milionë euro të hemodializës.
Klodian Shehu, një i besuar i Allajbeut, është edhe administrator i vetë kompanisë DiaVita, e cila kryen shërbimin e dializës, duke shtuar fiktivisht numrin, në mjediset e Spitalit Amerikan. Meqenëse këto fakte janë një sfidë për SPAK, po bëhen tentativa që kompania fantazmë ‘suedeze’ të shitet në vendet arabe, të cilat nuk shquhen për bashkëpunim me organet ligjzbatuese evropiane për episodet e krimit dhe korrupsionit”, vazhdon shkrimin Doçi.
Si del në skemë Shkëlzen Berisha?
“Deri në vitin 2019, kompania e koncensionit të hemodializës, Dia Vita, ishte në pronësi të kompanisë Evita, në masën 85 %. Evita, të cilën Allajbeu e kishte kamufluar fillimisht në emrin e kushërirës së parë, Majlinda Fetiu, ka marrë edhe 75 tendera në shëndetësi me vlerë mbi 30 milionë euro. Evita vijon të përlajë para publike. Vetë kompania Evita, me administratore të besuarën e Allajbeut, Elona Saraçi, ishte në pronësi të kompanisë Arimo, e cila u ble nga kompania fantazmë suedeze në 2019. Arimo, me të cilën Allajbeu kontrolloi koncensionin deri në 2019, kishte si adresë Holandë, Nassaulaan 2 A, 2514 JS, Ëillemspark, Haaglanden.
Të njëjtën adresë ka edhe një kompani tjetër Vendeka, me pronar përfitues Klodian Allajbeun. Vendeka ka në pronësi kompaninë e qiradhënies dhe shitjes së ushqimeve Agromark. kompaninë Logal shpk, me pronar Shkëlzen Berishën. Të dyja kompanitë, si Agromark, ashtu edhe Logal, rezultojnë pa aktivitet në terren, por janë aktive me transaksione parash, bazuar në librat e shitjes dhe blerjes. Në këtë skemë është e përfshirë edhe kompania e frutave të pyllit, Agromel, me pronar sërish Klodian Allajbeun. Një degë e Agromel rezulton me adresë në Marqinet të Gërdecit, pikërisht në vendin ku Shkëlzen Berisha ka blerë disa magazina dhe prona për të ngritur fabrikën e boronicave, e cila deri më tani ‘po përpunon vetëm para’”, shkruan Doçi.
Del zbuluar Shkëlzen Berisha
Për të justifikuar blerjen me vlerë 1.8 milionë euro, Shkëlzen Berisha ka marrë një kredi në dhjetor 2018, po 1.8 milionë euro, duke lënë si kolateral pronat, që i kishte blerë 5 ditë para se të merrte kredinë. Vlera e pronave është dukshëm më e ulët jo vetëm se sa vlera e principalit të paktën 2.3 milionë euro, por edhe sa vetë kredia 1.8 miliinë euro pa interesa.
Ndërkaq, Shkëlzen Berisha ka punuar edhe si konsulent ligjor i kompanisë Agromel të Klodian Allajbeut. Në një rast, në vitin 2017, Shkëlzen Berisha deklaron në ILDKPKI se përmes Logal ka marrë një pagesë prej 30 milionë lekë të vjetra nga Agromel.
Në vitin 2018, Agromel ka marrë një shumë prej 200 milionë lekë nga AZHBR-ja si mbështetje nga shteti për të përpunuar fruta pylli. Mes tre kompanive, Agromel dhe Agromark të Klodian Allajbeut dhe Logal të Shkëlzen Berishës, pritet fatura për shërbime të dyshura fiktive. Këto kompani fantazmë qarkullojnë miliona euro. Dhe si vend kanë gjetur pikërisht Gërdecin, aty ku Shkëlzen Berisha ngriti biznesin e vdekjes në vitin 2008, kamufluar në emër të disa biznesmenëve të besuar, dhe me zbatues ministrat e babit, Fatmir Mediun dhe Aldo Bumçin.
-Cili është burimi i këtyre parave, në kushtet kur kompanitë e Shkëlzen Berishën dhe Klodian Allajbeut nuk bëjnë ndonjë punë në Gërdec? -A kanë përfunduar tek Shkëlzen Berisha përmes fabrikës së boronicave në Gërdec një pjesë e parave të koncensionit të hemodializës, që Klodian Allajbeu ka futur në xhep përmes kompanisë Arimo në Holandë dhe sot përmes kompanisë DIAVERUM INTERNATIONAL AB në Suedi?
-A janë Shkëlzen Berisha dhe Klodian Allajbeu pronarët faktikë të kompanisë DIAVERUM INTERNATIONAL AB në Suedi, e cila kontrollon koncensionin 84 milionë euro të hemodializës? -Pse Sali Berisha nuk e përmend kurrë koncensionin e hemodializës? -A do të nisë SPAK një hetim kryesisht përballë këtyre fakteve lehtësisht për t’u dokumentuar?”, përfundon shkrimin Adriatik Doçi. /Elmas Bogdani