Nga Dorian Koçi
Profesor Pëllumb Xhufi, mbush sot 72 vjeç. Nuk është një vit jubilar, por datëlindjet e Profesor Xhufit janë datëlindje që shënojnë jo vetëm rrugëtimin e tij jetësor dhe profesional por edhe zhvillimin dhe konsilidimin e historiografisë shqiptare.
Prof. Xhufi, si asnjë historian dhe studiues tjetër i mesjetës ka hedhur ditë mbi dilemat identitare të arbrit mes Lindjes e Perëndimit, origjinës etnike, shtetformimit dhe shtrirjes së Arbërisë duke përshkruar një mozaik shtresëzimesh kulturore dhe historike të gjithëvlefshëm për mendimin historik shqiptar dhe ballafaqimit të tij me mendimin historiografik botëror.
Polemist i lindur, njohës i shkëlqyer i gjuhëve të vjetra, intelektual i angazhuar në debatet më të rëndësishme të jetës politike e sociale në vend, njohës i mirë i marrëdhënieve ndërkombëtare i ka shërbyer përherë së vërtetës dhe interesave të vendit me një patriotizëm të kulluar, duke reflektuar shprehjen e njohur latine “Amicus Plato, sed magis amica veritas”.
Gjerdani i veprave të tij është një “fill Ariane” përmes të cilave shqiptarët e sotëm mund të drejtohen për të gjetur dritë në labirinthin e dilemave shqiptare për të njohur vetveten dhe projektuar të ardhmen.
Duke i uruar ditëlindjen dhe duke uruar që të tjera vepra të rëndësishme t’i shtohen gjerdanit të vyer të kolanës studimore të Prof. Xhufit, uroj në të njëjtën kohë që brezi i ri i historianëve të gjej një model serioz, analitik dhe intepratativ në veprën e tij, për shkrimin e historisë.