Në zonën Shengen, brenda këtij viti udhëtarët do t’iu thonë “lamtumirë” vulave në pasaportë pasi regjistrimi do të bëhet në mënyrë dixhitale, por mbi ta do të rëndojë një taksë 7 euro që do të duhet të paguhet çdo tre vjet.
Sistemi i ri i automatizuar i hyrje/daljes (EES), që do të nisë më 1 nëntor 2023, do të regjistrojë vizitorët jo-BE në mënyrë dixhitale, duke hequr nevojën për pulla fizike në pasaporta.
Në një deklaratë nga Departamenti i Migracionit dhe Çështjeve të Brendshme të Komisionit Evropian thuhet:
“EES do të zëvendësojë sistemin aktual të vulosjes manuale të pasaportave, i cili kërkon shumë kohë, nuk ofron të dhëna të besueshme për kalimet kufitare dhe nuk lejon zbulimin sistematik të atyre që kanë kaluar qëndrimin”.
Çfarë është sistemi i hyrje/daljes nga BE (EES)?
EES do të jetë një sistem i automatizuar i teknologjisë së informacionit për regjistrimin e udhëtarëve nga vendet e treta që janë të përjashtuar nga vizat ose kanë viza për qëndrim të shkurtër.
Shqiptarët hyjnë pa viza në territorin e zonës Shengen pasi janë hequr vizat 6-mujore. Çdo person ka të drejtë të qëndrojë deri në 90 ditë çdo 6 muaj ose 6 muaj në vit, por nuk lejohet të punojë.
Sa herë që një person kalon një kufi të jashtëm të BE-së, sistemi do të regjistrojë emrin e tij, llojin e dokumentit të udhëtimit, të dhënat biometrike (gjurmët e gishtërinjve dhe imazhet e fytyrës) si dhe datën dhe vendin e hyrjes dhe daljes. Do të regjistrojë gjithashtu refuzimet e hyrjes.
Ka shpresa se kontrollet e automatizuara të kontrollit kufitar dhe sistemet e vetë-shërbimit do të përmirësojnë sigurinë në BE dhe do të jenë më të shpejta për udhëtarët.
Megjithatë, industria e linjave ajrore dhe vende të ndryshme kanë thënë se mungesa e përgatitjes mund të shkaktojë probleme kur të futet sistemi. Fillimisht kjo lloj procedure duhej të lançohej në vitin 2022, por u shty deri në maj 2023 dhe përsëri deri në nëntor.
Sipas sistemit të ri, udhëtarëve me akses pa viza në Zonën Shengen do t’u kërkohet të marrin autorizimin e udhëtimit në internet përmes Sistemit Evropian të Informacionit dhe Autorizimit të Udhëtimit (ETIAS).
Kjo do të nisë në faza sapo EES të jetë funksionale. ETIAS do të kushtojë 7 euro për çdo aplikim. Tarifat zbatohen për të rriturit nga mosha 18 deri në 70 vjeç.
Të miturit dhe udhëtarët e moshuar (70+) nuk do të duhet të paguajnë këtë tarifë. Pasi të keni përfunduar pagesën, autorizimi i ETIAS do të fillojë të përpunohet.
Tarifa e vizës ETIAS mund të paguhet online nëpërmjet një karte krediti ose debiti të vlefshme.
Nëse ETIAS-i juaj miratohet, ai do të jetë i vlefshëm për 3 vjet ose deri në fund të vlefshmërisë së dokumentit tuaj të udhëtimit nëse ky dokument skadon më parë se 3 vjet.