Edhe pse nuk është bërë ende zyrtare, duket se ka mbërritur në Tiranë ekspertiza e përgjimit “Babale”, pra e materialit që PD e cilësoi si bisedë ndërmjet Dëshmitarit X dhe vëllait të Fatmir Xhafajt.
Por reagimet kanë qenë që në fillim të ashpra, si nga opozita zyrtare, pra Lulzim Basha, ashtu edhe nga opozita e ashtuquajtura “aktiviste”, pra nga ish-ministri i Drejtësisë Ylli Manjani.
Opozita e cilëson ekspertizën jo serioze dhe jo reale, megjithëse përgjigja vjen nga një superlaborator siç është ai i Policisë Shkencore të Romës.
Lulzim Basha ishte i pari që doli në konferencë shtypi në selinë e PD-së, pas seancës së Kuvendit.
“Ashtu siç ka urdhëruar dhe paralajmëruar edhe Edi Rama:
– audio-përgjimi do të vlerësohet jo autentik, kësaj here edhe me vulë të prokurorisë Rama-Xhafa-Marku;
– zëri i Agron Xhafajt do të dal zëri i Arta Markut;
– trafiku i drogës do të konsiderohet eksport bananesh;
– trafikanti Agron Xhafaj do të shpallet aktor e më pas qytetar nderi;
– Fatmir Xhafaj do të kurorëzohet Ministër kampion në luftën ndaj trafikut të drogës”, shtoi kreu i PD-së”.
Me një fjalë, Basha e parodizoi rezultatin e ekspertizës duke e hedhur poshtë politikisht.
Sipas Bashës, prokuroria nuk ka marrë siç duhet kampionin e zërit të Agron Xhafajt.
Kurse Ylli Manjani, ish-ministri i Drejtësisë së LSI-së shkon edhe më tej se Berisha me New York Times për Gërdecin që e quajti “letër higjenike”.
“Cilado qoftë përgjigja e ekspertimit të audio-përgjimit, ligjerisht duhet ta ziejnë dhe ti pijnë lëngun!
Po në bazë të ligjit, letrën që do shkruhet ajo përgjigje, me nder Jush, mund ta përdorin kur të mbarojnë punë në hale. Uroj të jetë letër e butë…
Këtë akt nuk e përsor dot para asnjë gjykate! Sepse ky është akti i degjenerimit hetimor në Shqipëri!
Prokuroria nuk kreu asnjë veprim hetimor verifikues, si thirrja verifikimi i telefonatave apo balladaqimi i personave. Përkundrazi lejoi largimin mga territori edhe të Agronit (Gerondit) edhe të Albertit (Babales).
Prokuroria as palo kallëzimin e bërë natën nga Agroni, nuk e bëri dot deponim proçedural. Pra pa bërë veprimet e thjeshta hetimore, nxitoi të mbështeste deklarimet publike të Ramës për mos autenticitetin.
As vetë Fatmiri nuk e priste këtë gjë, sepse ishte i bindur që takimi kishte ndodhur, ndaj e nisi vëllanë për gjithë natën në burg!
Prokuroria tashmë është e pa besueshme sepse është tërësisht në shërbim të vëllait të Agronit.
Shpejtësia mahnitëse me të cilën punoi Prokuroria natën, e bëjnë atë përfundimisht gazi i ditës!
Ndaj, ka të drejtë Ambasadori Lu, kur kërkon “hetim të pavarur”, për këtë çështje! Tjetër gjë se si erdhëm deri këtu…
Halli është se kjo çështje po shkon drejt shuarjes, si të gjitha të tjerat….
Ne na rroftë reforma!”, shkuan Manjani në faqen e tij
Ish-ministri në fakt ka një kontradiktë, pasi edhe pse flet për hetim të pavarur, e quan “letër higjenike” vendimin e laboratorit të Romës, që është dukshëm i pavarur nga Tirana.
Siç duket këtë kishte parasysh edhe Monika Kryemadhi që të hënën te Ilva Tare u mundua ta largojë shënjestrën nga Fatmir Xhafaj, pasi opozita po shikon tani se e gjithë zhurma kundër ministrit e ka dobësuar këtë të fundit e ka forcuar Edi Ramën.
Para se Fatmir Xhafaj të sulmohej, ai cilësohej edhe nga opozita si një alternativë e mundshme për të drejtuar një qeveri socialiste kujdestare pa Edi Ramën.
Këtë e deklaroi 6 muaj më parë Monika Kryemadhi; por edhe Spartak Ngjela në pamfletet e tij ka deklaruar gjithmonë se “duhet një figurë socialiste që të zëvendësojë Edi Ramën”.
Por sot Fatmir Xhafaj jo vetëm që nuk shikohet më si një alternativë zëvendësuese, por ka gjasa që në shtator të largohet si i lodhur nga një histori që vërtet e ka lodhur, aq më shumë që politikisht ai në PS nuk se ka resurse të forta.
Megjithatë përgjigja ndaj ekspertizës së pashpallur të videoregjistrimit ka qenë një pararojë e një qëndrimi dukshëm kundërshtues.
Donald Lu-ja ka qenë sot në zyrën e Fatmir Xhafajt, që nuk e shkelte prej disa muajsh, pikërisht pas vendimit të Romës, duke shtuar se nuk duhet ndaluar “kapja e peshqve të mëdhenj”.
Për disa orë qarqe pranë opozitës e përkthyen vizitën e Lu-së si një pararojë e largimit të Xhafajt, edhe pse dukshëm ishte një bllof, pasi nëse do të ishte ashtu, atëherë ambasadori amerikan nuk do të hynte në zyrën e ministrit.
Pra karta “Babale” po shkon drejt shpërbërjes, siç thotë Manjani drejt defekimit.
Megjithatë ku do të derdhen fekalet politike?! /tesheshi.com