Si Janis Karathano përdori një kompani të inkriminuar në Holandë për të marrë koncensionin 130 milionë euro të laboratorëve. Kontrata u lidh 3 muaj para se të regjistrohej kompania zbatuese! Marifeti me plotësimin e kritereve dhe provat e forta në duart e SPAK-ut
Në 23 korrik 2019 regjistrohet në Tiranë kompania LABORATORY NETWORKS, me kapital 10 milionë lekë, e cila do të zbatonte kontratën e koncensionit me vlerë 130 milionë euro të laboratorëve të analizave mjekësore pranë spitaleve universitare, rajonale dhe atyre bashkiake të Sarandës dhe Lushnjes.
Kompania themelohet në qershor 2019, regjistrohet në korrik, ndërkohë që Ministria e Shëndetësisë e kishte lidhur kontratën që në prill 2019.
Kompania është në pronësi të tre kompanive me vendndodhje në Shqipëri, Holandë dhe Francë.
E para është LABOPHARMA SHPK, themeluar në 2007 nga shtetasi grek Ioannis Xopapas dhe Janis Karathano.
Kompania Labopharma, e skeduar për mospagim detyrimesh tatimore dhe që ka një licencë për shitje barnash, ka 41.7 % të aksioneve, rrjedhimisht të koncensionit të laboratorë
Sot, pronar të Laboparma janë Janis Karathano me 50 % të aksioneve dhe kompania T-MEDSS me 50 % të aksioneve. Pronar i T-MEDSS, një kompani fantazmë e themeluar në vitin 2021, është Sokol Ramizi.
Sokol Ramizi është edhe administrator i koncensionit të laboratorëve.
Kompania e dytë është AB Laboratory Solutions B.V, kapital 2.1 milionë lekë, me adresë në Laan Van Meerdervoort 1224, 2555 CD Hague, Hollandë, e cila ka 33 % të aksioneve në kompaninë koncensionare të laboratorëve.
Kompania është themeluar në vitin 2007 dhe nuk ka asnjë lidhje me laboratorët dhe diagnostikimin, por ka si objekt veprimtari financiare.
Kjo kompani, me administrator Konstantinos Karathanos, është në pronësi të kompanisë shqiptare Pegasus, me pronar të vetëm Janis Karathano, me të cilën ka marrë mbi 100 tendera në shëndetësi me vlerë rreth 20 milionë euro. (Tenderat me vlerën më të lartë i ka marrë në bashkëpunim me kompaninë Evita të Klod Allajbut, përfitues i koncesionit abuziv 84 milionë euor të hemodializës).
Pra, Janis Karathano dhe Sokol Ramizi kontrollojnë në letra 75 % të koncensionit.
Karathano ka blerë dhe përdorur një kompani financiare në Holandë, për të krijuar idenë e një bashkimi ndërkombëtar shoqërish, duke fituar koncensionin 130 milionë euro.
Kompani e tretë, e cila ka 25 % të koncensionit të laboratorëve, është
EXALAB, një shoqëri franceze e regjistruar në Francë, me adresë në 208 Avenue Pasteur 33600 Pessac, Francë, dhe nr. regjistrimi 323 191 106 R.C.S Bordeaux.
Në të gjithë këtë kartel kompanish të sajuara dhe të ndërlidhura me Janis Karathanon, e vetmja kompani reale është shoqëria franceze EXALAB, me objekt laboratorët për analiza mjekësore, themeluar në vitin 1998, me administrator Olivier MARQ dhe Valérie MARAZANOF, me kapital 4.8 milionë euro.
Procedurat për koncensionin e laboratorëve nisën në vitin 2015 nga Ilir Beqaj dhe u finalizuan në 2019 nga Ogerta Manastirliu. Kontrata u firmos në 24 prill 2019.
Në bazë të kontratës, spitalet i paguajnë konçesionarit tarifën e shërbimit për të gjitha analizat e kryera në bazë të rekomandimeve të mjekëve referues, gjithmonë pa tejkaluar tavanin e buxhetit.
Tavani është një buxhet mujor i caktuar për çdo spital për analizat, i cili nuk duhet tejkaluar.
Herë pas herë, mjekëve të spitaleve u shkon urdhri që
Në fund të muajit maj të vitit 2022, që të mos referonin analiza për pacientët e tyre, me përjashtim të rasteve tejet urgjente, pasi ishte prekur tavani për atë muaj.
Pra, kush pati fat, i bëri analizat, ndërsa të tjerët duhet t’i drejtoheshin privatit, edhe pse kanë paguar për vite me radhë sigurime shëndetësore.
Faktet e korrupsionit
Në 31 janar të vitit 2022, SPAK ka regjistruar procedimin penal nr. 18 për veprat penale shkelja e barazisë së pjesmarrësve në tendera dhe ankande publike, shpërdorim detyre dhe korrupsion pasiv të personave që ushtrojnë funksione publike, në lidhje me koncensionin e laboratorit.
Hetimet nisën pas një kallëzimi penal të Kontrollit të Lartë të Shtetit, i cili auditoi gjatë vitit 2021 koncesionin e laboratorëve mjekësorë.
KLSH arriti në përfundimin se Ministria e Shëndetësisë e kishte dhënë koncensionin në kundërshtim me ligjin “Për Koncesionet dhe Partneritetin Publik Privat”, kallëzoi anëtarët e komisionit për dhënien e koncesionit si dhe i kërkoi zgjidhjen e kontratës.
Sipas KLSH-së, Koorporata Ndërkombëtare e Investimeve (IFC), pjesë e Bankës Botërore, kishte kërkuar skualifikimin e grupit të kompanive fituese, pasi njëra kompani shqiptare ishte në ndjekje penale në Spanjë.
Korporata Ndërkombëtare e Investimeve ka shprehur shqetësime serioze për integritetin e kompanisë së regjistruar në Holandë, AB Laboratory Solutions, e skeduar për mashtrim dhe krime financiare.
Gjithashtu KLSH vlerësoi se AB Laboratory Solutions B.V u përdor si koracë për të mbuluar përqindjen reale të ndarjes së aksioneve në konsorcium. Ndarja ishte fiktive, pasi dy kompani në dukje të ndryshme, ishin faktikisht një, me pronar Janis Karathano.
“..Nëse do të ishte paraqitur vetë Pegasus si aksioner në konsorciumin e ngritur, atëherë pjesmarrja e tij rezulton 75% e aksioneve dhe jo ndarja që është paraqitur në marrëveshjen e konsorciumit…, ku natyrisht ndryshojnë edhe kushtet e vlerësimit, të cilat në shumicën e detyrimeve i takojnë atij për t’u përmbushur si nga ana ligjore dhe financiare,” thuhet në raportin e KLSH.
Ndërsa Laboratory Networks ka pretenduar se “Konsorciumi fitues, qartazi dhe në mënyrë evidente ka përmbushur në mënyrë strikte dhe ka tejkaluar të gjitha kërkesat teknike, financiare dhe ligjore dhe kriteret e garës në tërësi, dhe mbi të gjitha ajo është përzgjedhur pasi ka ofruar çmimin më të ulët në këtë garë…”.
Ndërsa, komisioni i koncensionit pranë Ministrisë së Shëndetësisë pretendon se informacioni për hetimin ndaj kompanisë ‘holandeze’ të Karathanos në Spanjë, nuk është i vërtetë.
Të kallëzuar në SPAK janë Raimond Cimbi, ish-drejtor i Drejtorisë së Prokurimeve në Ministrinë e Shëndetësisë, i cili ka qenë kryetar i komisionit të dhënies së koncesionit.
Janë kallëzuar edhe 6 anëtarë të komisionit të dhënies së koncesionit, konkretisht Silva Novi, përgjegjëse e sektorit të Standardeve dhe Protokolleve Spitalore në ministri, Leonora Horanlliu, përgjegjëse e sektorit të Programimit dhe Monitorimit Buxhetit në FSDKSH, Ariola Krymi, mjeke koordinatore në Laboratorin Biokimik në QSUT, Anjeza Alliu, përgjegjëse e sektorit të Prokurimeve, Gazmir Vehbi ekonomist në Agjencinë e Trajtimit të Koncesioneve si dhe Armila Ali ekonomiste në Agjencinë e Trajtimit të Koncesioneve.
Është kallëzuar në SPAK për shkelje të barazisë në tendera gjithashtu drejtorja e Drejtorisë së Politikave dhe Strategjive të Zhvillimit në Ministrinë e Shëndetësisë Flutura Beqo, e cila ishte kryetare e komisionit të vlerësimit të ofertave, si dhe dy anëtarët e KVO Oltion Dhono, drejtor i Qendrës Kombëtare teknike Bio Mjekësore dhe Olsi Akshia, përgjegjës i sektorit të Ankesave dhe Administrative dhe Gjyqësore.
A mundet që këta 10 zyrtarë të firmosin një koncension 130 milionë euro jashtë rrezes së ministres Ogerta Manastirliu?
Po vetë Manastirliu a mundet të finalizojë me kokën e saj një koncension me kosto të tillë dhe me shumë pikëpyetje?
Po Janis Karathano a ka fuqi të vendosë në rresht dhe të lëvizë mekanizmat e pushtetit për një koncension të dyshimtë me kosto 130 milionë euro për xhepat e shqiptarëve?
Me hetimin ndaj Arben Ahmetajt, SPAK, duke ndjekur paratë, ka treguar se mund të shkoqisë çdo paradoks, dyshim, mister dhe marifet me paratë dhe pasuritë publike. /Nga Adriatik Doci