Vjeshta pritet që të shkaktojë tërmet në politikën dhe drejtësinë shqiptare. Shtatori do të sjellë ndryshime të mëdha në vend, ndërsa duket se dhe ndërkombëtarët janë duke u përgatitur për të dërguar pas hekurave zyrtarët e përfshirë në afera.
Gazeta mëson senati i SHBA pritet të aktivizojë Aktin Amerikan në luftën kundër korrupsionit, të cilët e futën në diskutim në maj të 2022. SHBA tha se ky ligj do të hyjë në fuqi brenda këtij viti.Senati pritet të mblidhet sërish dhe një nga vendimet e tyre në vjeshtë është dhe zyrtarizimi i ambasadorit të ri të Shqipërisë. Në muajt në vijim SHBA do të fillojë një ofensivë të madhe në Ballkan dhe pjesë e goditjes do të jetë dhe kasta e vjetër politike e korruptuar në Shqipëri.
Thuhet se ligji i posaçëm për Ballkanin do të forcojë tregtinë dhe investimet midis Shteteve të Bashkuara dhe Ballkanit Perëndimor, do të zhdukë korrupsionin, do të kodifikojë sanksionet kundër aktorëve destabilizues dhe do të dërgojë një sinjal të fortë dypartiak se Shtetet e Bashkuara janë të përkushtuara ndaj partnerëve në rajon.
Ja skema që do të ndjekin amerikanët
Si fillim SHBA po projekton zgjerimin e listës së zezë. Shtetet e Bashkuara të Amerikës duken të vendosura dhe premtojnë se nuk do ndalen deri sa politika shqiptare të pastrohet nga të korruptuarit dhe të inkriminuarit përmes mekanizmit të shpalljes “non grata”, por jo vetëm kaq pasi SHBA po përgatit goditje të reja. Gazeta e ka paralajmëruar se Uashingtoni pritet që t’i japë një tjetër hov luftës ndaj personave të korruptuar në Shqipëri.
Pra “lista e zezë” pritet të zgjerohet për Shqipërinë dhe mesazhi i fortë erdhi nga vetë ish-ambasadorja amerikane në Tiranë Yuri Kim para disa muajsh. Ajo tha se ka zyrtarë që nuk po i zë gjumi pasi kanë frikë se do të jenë të radhës që do të shpallen “non grata” ose do të shkojnë në burg. Për këtë, u ka bërë thirrje prokurorëve, gjyqtarëve, hetuesve të bëjnë punën e tyre pa asnjë hezitim. “Tregojnë historinë e zyrtarëve të lartë të shqetësuar.
Kam dëgjuar plot histori për njerëz që nuk i zë gjumi, duke vrarë mendjen nëse e kanë radhën ata për shpalljen tjetër “non grata” apo për ndjekje penale. Dhe nëse je i shqetësuar, me shumë gjasë ke arsye të forta për t’u shqetësuar. Dhe do t’iu bëja përsëri thirrje të gjithë prokurorëve, gjyqtarëve, hetuesve, bëni punën tuaj”, tha Kim. Pra SHBA do të vazhdojë me “non gratat”. “Damka” që të vendos SHBA të nxjerr nga sistemi dhe rastin më të pastër e kemi me Sali Berishën. Amerikanët pasi e futën në listën e zezë e lanë Berishën në mes të katër rrugëve, pasi të gjithë mbështetësit e braktisën.
Asistenca ndaj SPAK
Përveç sanksioneve që do të ndërmarrë SHBA ndaj personave të zhytur në korrupsion, aty theksohet se do të angazhohet vetë Sekretari i Shtetit, në goditjen e korrupsionit brenda secilit shtet. SHBA do të ndërmarr programe të reja duke shtuar mbështetjen për prokurorinë dhe gjykatat. “Sekretari i Shtetit, nëpërmjet programeve aktuale dhe programeve të reja, do të zhvillojë një iniciativë që kërkon të zgjerojë asistencën teknike për zhvillimin e strategjive kombëtare kundër korrupsionit, për çdo vend të Ballkanit Perëndimor.
Strategjitë e korrupsionit do të ndërtohen duke marrë parasysh kushtet lokale dhe në varësi të marrëveshjes me vendin pritës. Do të ofrohen praktikat më të mira dhe trajnime për agjencitë e zbatimit të ligjit dhe institucionet gjyqësore, apo organe të tjera administrative në secilin shtet, për të përmirësuar efikasitetin, transparencën dhe llogaridhënien e këtyre agjencive dhe institucioneve”, thuhet aty.
Në fund theksohet se do të ofrohet asistencë për të luftuar korrupsionin në nivel politik, si dhe për të forcuar mbikëqyrjen në fushën e lirisë së informacionit dhe prokurimit publik. Më tej thuhet se SHBA do të vijojë të marrë sanksione ndaj të korruptuarve. Sinjalet se SHBA do të intensifikojë luftën anti-korrupsion në Shqipëri i dha edhe raporti i fundit i DASH për klimën e biznesit në Shqipëri. Aty u paralajmërua qartë fuqizimi i SPAK që do të bëjë SHBA për të goditur të korruptuarit në mënyrë që të Tirana të mirëpresë sa më shumë investime të huaja.
Roli i Yuri Kim
Kim edhe pse nuk do të jetë më ambasadore e SHBA në Tiranë, pritet të marrë një nga pozicionet më të rëndësishme në Departamentin e Shtetit. Presidenti amerikan Joe Biden e ka emëruar në krye të hetimit dhe përndjekjes të personave që rrezikojnë sigurinë e SHBA, ku në fokus do të jetë Ballkani. Këtë detyrë diplomatja amerikane pritet ta marrë nga data 10 korrik, megjithëse njoftimi zyrtar ende nuk ka dalë. Kim do e ushtrojë detyrën e ndihmës sekretares në këtë departament, deri në emërimin zyrtar atje, të ambasadorit Jim O’Brien.
O’Brien, shefi i ardhshëm departamentit të çështjeve Evropiane në DASH, aktualisht drejton departamentin që sanksionon individë që cenojnë politikat e sigurisë kombëtare amerikane në botë, siç është dhe rasti i Sali Berishës në Shqipëri.
Mësohet se Yuri Kim, bashkë me James O’Brien do nisë lëvizjet për të bllokuar pasuritë e pushtetarëve të korruptuar në Ballkan. Disa muaj më parë presidenti Joe Biden, nxori një dekret që penalizon të gjithë ata të cilët minojnë demokracinë dhe kërcënojnë paqen në rajon. Për të gjithë ata të cilët futen në listë të zezë do të ketë bllokim të pasurive.
Ndihma nga ambasadori i ri i SHBA
Në planin që ka senati për Ballkanin, një rol të madh ka dhe ambasadori i ri amerikan David J. Kostelancik. që do të zëvendësojë diplomaten Yuri Kim. “Nëse konfirmohem në këtë detyrë do të bashkëpunoj me Shqipërinë për të forcuar institucionet demokratike dhe institucionet e drejtësisë. Presidenti Joe Biden e ka përcaktuar luftën ndaj korrupsionit dhe krimit të organizuar si pjesë të strategjisë sonë kombëtare.
Kjo është një sfidë kryesore për vendet e Ballkanit Perëndimor. Përparimi i reformës në drejtësi do të ndihmojë përparimin e Shqipërisë drejt integrimit evropian”, u shpreh David J. Kostelancik.
Pra theksi është sërish reforma në drejtësi. Kostelancik do të çojë në fund punën që la në mes Yuri Kim për të eliminuar përfundimisht aleancën anti-SHBA, ku me të identifikohet Berisha dhe Meta. Këta dy politikanë po mbajnë njëri-tjetrin në skenën gjysmë të rrëzuar të politikës, me shpresën se pa njërin, as tjetri nuk do e ketë më të gjatë./ Elmas Bogdani