Ndërtimi i një kulle prapa Teatrit të Operas dhe Baletit ka nxjerrë zbuluar ish-kryeministrin Sali Berisha, personazh i listës së zezë të SHBA, që bën pazare kur në lojë janë bizneset e të birit.
Në mes të Tiranës po ngrihet një kullë gjigante, prapa së cilës qëndrojnë biznesmenë që kanë lidhje si me mazhorancën, ashtu dhe vetë Berishën. Ky skandal shpjegon shumë prapaskena të politikës, qëndrimet e grupit të “non gratës”, lëvizjet e Ramës dhe skemat që krerët e politikës shqiptare ndjekin për të mbajtur njëri-tjetrin në pushtet duke bërë show sikur zihen në sy të qytetarëve dhe në takime private bëjnë pazare se si do të ndajnë paratë. Por kryedemokrati Lulzim Basha pritet të hedhë në erë bashkëpunimin e tyre.
Mësohet se PD ka përgatitur një kallëzim penal për kullën që pritet të ndërtohet pas TOB. Burime bëjnë të ditur se sot, kryetarja e grupit të këshilltarëve të PD në Këshillin Bashkiak të Tiranës Enriketa Papa do të dorëzojë në SPAK një dosje të plotë denoncuese, kryesisht për mënyrën e financimit për ndërtimin e kullës më të lartë në Tiranë.
Justifikimet boshe të Berishës dhe Shkëlzenit
Dje Berisha u përpoq më kot të të justifikojë familjarë të tij, të cilët qëndrojnë pas ndërtimit të kullës në lulishten pas Teatrit të Operas dhe Baletit në Tiranë. Berisha, ashtu siç më herët edhe djali i tij Shkëlzeni, sfidoi Kryeministrin Edi Rama që të anulojë lejen e dhënë. Madje ai sa herë që kapet “mat” përpiqet të gjejë shpëtim dhe nis akuza drejt kryebashkiakut Erion Veliaj.
Këtë herë kreu i “Foltores” dështoi të “pastrohej” në media. “Shpifje nga kuzhina Fuga-Veliaj. E gjithë përpjekja është të krijojë një zhurmë për të shuar flakët e djegësit të Tiranës që nuk ekzistojnë. Gjatë qeverisjes së PD, Sali Berisha nuk ka dhënë asnjë leje për asnjë kullë. Plani që ka miratuar Këshilli Kombëtar ka qenë për ndërtimin e ndërtesave 6-8 kate në të gjithë territorin e Tiranës.
\
\Janë shpifarakë të mjerë”, ishte reagimi i Berishës. Edhe djali i tij përdori të njëjtin refren. “Shpifje nga kuzhina Fuga-Veliaj. E gjithë përpjekja është të krijojë një zhurmë për të shuar flakët e djegësit të Tiranës që nuk ekzistojnë. Gjatë qeverisjes së PD, Sali Berisha nuk ka dhënë asnjë leje për asnjë kullë. Plani që ka miratuar Këshilli Kombëtar ka qenë për ndërtimin e ndërtesave 6-8 kate në të gjithë territorin e Tiranës. Janë shpifarakë të mjerë”, tha ai ndër të tjera.
Mesazhi i fortë i Bashës
Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha tha se kulla është një provë që të gjitha palët politike janë bashkë, ndërsa kërkoi nga Struktura e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar që të hetojë lidhur me rastin. Ndërsa deputetja e Partisë Demokratike, Orjola Pampuri e ka cilësuar lejen e dhënë për ndërtimin e kullës në lulishten pas Teatrit të Operas dhe Baletit si një qokë politike, që ndodh për shkak të interesave të ngushta politike.
“Mali i korrupsionit në qendër të Tiranës i mbuluar nga “omertà” e bashkëfajësisë mafioze, është një karshillëk ndaj të gjitha institucioneve që kanë për detyrë të mos lejojnë që Shqipëria të kthehet në një parajsë për pastruesit e parave dhe miqve të tyre në politikë dhe nga ana tjetër e shndërron vendin tonë në një ferr pandershmërie dhe pandëshkueshmërie për qytetarët që kërkojnë standarde europiane për të ndërtuar jetët e tyre dhe familjeve të tyre.
Kjo “omertà”, ky kod i heshtjes, prodhon një ekonomi të deformuar, që nuk pasqyron forcat normale të tregut, që gjymton konkurrencën, iniciativën e lirë, besimin te institucionet, të cilat shihen si legjitimuese të krimit dhe korrupsionit. Detyra jonë si Parti Demokratike është të mposhtim këtë heshtje shurdhuese që dëmton interesin publik, sa herë interesat e kastës 33 vjeçare bëhen bashkë si dy duar që lajnë fytyrat e nxira nga korrupsioni.
Prandaj sot dua të përsëris mbështetjen time dhe të Partisë Demokratike ndaj SPAK-ut, mbi të cilin bie barra e rëndë e hetimit dhe ndëshkimit të të gjithë atyre që e kanë kthyer Shqipërinë në një lavatriçe të pastrimit të parave, e cila nuk dëmton vetëm ekonominë, por edhe trashëgiminë, kujtesën historike, hapësirën publike, të kthyera në plaçkë për fare pak njerëzve. Pastrimi i politikës përmes vetting-ut, është domosdoshmëri për t’i dhënë fund epokës së korrupsionit, që politikanët të mos jenë në shërbim të oligarkëve dhe interesave kriminale, por t’u shërbejnë qytetarëve dhe interesit publik”, u shpreh Lulzim Basha.
Opozita dhe aktivistët nxjerrin zbuluar Berishën
Nga ana tjetër, Pampuri, Roland Bejko, aktivistë si Arlind Qorri, por edhe Ervin Goci kanë treguar se Berisha dhe Rama janë të lidhur me njëri-tjetrin përmes oligarkëve. “Tirana, vijon te humbasë identitetin, per shkak te interesave te ngushta te bashkepunetoreve te Edi Rames, atyre qe u pasuruan duke e mbajtur ne pushtet.
Kryeqyteti qe nuk i ka mbetur me asgje nga historia e tij, e nuk ka mbetur me asgje nga femijeria jone, pasi ata qe ulerasin nga mengjesi deri ne darke duke bere here viktimen, here te fortin, here shpifesin e here shantazhuesin e kane perdorur cdo cep te Tiranes si qoke, per te mbijetuar sa me gjate ne pushtet dhe ne politike. Drejtesia, SPAK te hetojne, e te nxjerrin te verteta, te pakten me fakte te ndricohet mendja e ndokujt qe mendon qe kjo klase politikanesh te korruptuar mendokerka per Shqiperine, shqiptaret dhe te ardhmen e ketij vendi. Lojerave u ka dale boja”, u shpreh Pampuri.
Bejko demaskon Berishën
Nga ana tjetër, ish-kandidati i PD, Roland Bejko, me anë të një statusi në Facebook, ka theksuar se Sali Berisha dhe bashkëpunëtorët e tij dolën para shqiptarëve dhe u premtuan revolucion, por pas disa muajsh revolucioni ra për të ngritur kulla. “Ju do thoni që edhe në Francë revolucioni filloi në Bastijë. Edhe aty u shemb vërtet kështjella burg, e në vend të saj u ngrit një kullë e hollë fare në formë piramide për nder të revolucionarëve.
Prandaj, plaku mendoi të bënte të njëjtën gjë. Ta nderonte revolucionin dhe revulucionarët me një kullë. Edhe ai, për nder të revolucionit dhe të revolucionarëve, imitoi francezët. Ndërtoi një kullë. Më të lartën që do ketë Shqipëria deri më sot. Pyetja tjetër është: Po revulucionarët a do jenë aksionerë në atë kullë?!
-Poo, patjetër që do jenë. Por jo të gjithë. Aksionerë në atë kullën e lartë me majë, që do quhet Mali i Tiranës do jetë vetëm elita e revolucionit. Ata që japin paratë për revolucionin dhe që paguajnë sanduiçat falas të revolucionarëve. Ndërsa revolucionarët do kenë akses falas në sheshin dhe lulishten përreth kullës Mali i Tiranës, sa herë që të duan. Revolucionarët e thjeshtë do jenë të lirë të shkojnë sa herë të duan të futen nën hijen e kullës në vapën e gushtit sa herë që do t’i thërasë Plaku dhe familja për “revolucionin final”.
Për nder të tyre, sheshi përreth kullës, do quhet “Sheshi i Revolucionit”. A ka nder dhe respekt më të madh se ky që u bëhet qëndrestarëve revolucionarë?! Madje, pas ndërtimit të kësaj kulle, revulucionarët e thjeshtë, nuk do kenë qyl vetëm autobusin, një kafe dhe sanduiçin. Por, këtë radhë do t’u jepet edhe një sanduiç shtesë i mbështjellë në letër celefoni. Prandaj, revolucionarët duhet të gëzohen kur elita revulucionare ndërton kulla. Sepse vetvetiu rritet dhe mirëqënia e revolucionarëve gjatë protestave. Dhe që ta dini, formula është:
Një revolucion mesatar, një kullë. Dy revolucione, dy kulla. Tre revolucione, dy kulla+ një bllok rezidencial në bregdet”, tha ai. Ndërsa pedagogu dhe aktivisti i njohur Ervin Goci zbuloi se Sali Berisha financoi “Foltoren” me ndërtuesin e kësaj kulle. Në fund dhe drejtuesi i lëvizjes “Bashkë” Arlind Qorri ka lëshuar një “shuplakë” të fortë ndaj opozitës “farsë” të Sali Berishës, duke i quajtur ndër të tjera “pazarxhinj” që nuk hapin gojën për të denoncuar krimin më të madh ambiental që po i bëhet Tiranës me ndërtimin e kullës më të lartë te lulishtja pas “Operas”. Qorri ka thënë se opozita e Sali Berishës nuk ka guxim të përmendë një emër oligarku, dhe nuk ka denoncuar jo vetëm “Kullën Mal”, pas të cilës flitet se qëndron vetë, por as edhe përbindëshat e tjerë të betonit që po ngrihen në Tiranë.