Nga Genc Sejko
Përgjigjet e disa pyetjeve mund të shmangin gjykimet dhe paragjykimet për përfshirjen e interesave të opozitës tek kulla pas TOB.
1. Leja për kullën është dhënë në mars të këtij viti. Si ka mundësi që Belind Këlliçi nuk e përmendi asnjëherë ndërtimin e saj gjatë fushatës dhe qëllimisht dje e ngatërroi me një kullë tjetër? Si mund ta humbte Këlliçi mundësinë e përdorimit politik faktin e ndërtimit të kullës më të lartë në Ballkan mbi një lulishte? Shtyrja e nisjes së punimeve nga marsi në gusht nuk duket kaq e rastësishme kur merr parasysh zhvillimin e zgjedhjeve lokale.
2. Opozita ndër vite ka denoncuar ndërtimin e çdo kulle dhe interesave të oligarkëve të Ramës. Pse hesht këtë herë dhe vajton lulishten pa përmendur ndërtimin e kullës? Çfarë ka të veçantë kjo kullë që nuk meriton vëmendjen e opozitës?
3. Pse nuk reagoi për këtë ndërtim asnjë deputet i foltores ndërsa sot janë vënë në radhë për të shpërndarë statusin e Shkëlzen Berishës?
4. Zhvilluesi i këtij projekti është kompania NOVA me pronar Ilir Shtufin. Një nga përfituesit më të mëdhenj të tenderave të rindërtimit dhe parqeve fotovoltaike. Me një buxhet modest në QKR ai do ndërtojë një kullë 60 katëshe. Pse nuk kërkon opozita hetim nga SPAK për paratë që pastrohen në kullën e radhës në Tiranë? Siç ka bërë për inceneratorët.
5. Çfarë e lidh Ilir Shtufin me Shkëlzen Berishën?
6. Qëndrimi i zotit Sali Berisha në konferencë për shtyp ishte i ngjashëm me atë të zotit Shkëlzen Berisha, në të cilën e sfidoi Ramën që ta anulonte lejen. A do jetë ky në vazhdimësi qëndrimi që do mbajë opozita për çdo kullë që do ndërtohet në Tiranë?
Opozita t’i japë përgjigje këtyre e të tjerave që fshihen pas “investitorëve” të betonit dhe shtufit. Përndryshe tymnaja e “heqjes se vëmendjes nga inceneratorët” është thjesht alibi për të fshehur gjurmët nga kulla e interesave qeveri-opozitë. Nëse Rama të josh e të fut në kurth me leje ndërtimi e favore të tjera, morali për të bërë opozitë është varrosur me baltën që mbushi gropën e famshme të Ajdin Sejdisë.