Portali i familjes Berisha, jo vetëm që s’ka denoncuar këto ditë “betonizimin e kryeqytetit”, por ka mbrojtur publikisht projektin e ndërtimit të kullave në qendër të Tiranës.
“Për të gjithë histerinë publike, apo të për të gjithë ata që bëjnë sikur kanë harruar, ajo pronë në qendër të Tiranës, për ata që nuk e dinë është pronë private.
Ekziston si lulishte, është e vërtetë, por është një nga pronat e para private në kryeqytet, kthyer me letra ish-pronarëve.
U bë lulishte e përkohshme për të mbuluar gropën e lënë nga Hajdin Sejdia, i cili nuk mundi dot të siguronte financimin për ndërtimin e hotelit të famshëm “Hilton” apo çfarë projekti kishte ai.
Këtë e di gjithë Tirana që ajo është një pronë private, që ajo do të zhvillohej, që atje do të kishte ndërtime në momentin që do të siguroheshin financimet.
Nuk gëzon statusin e një lulishteje siç e gëzon po themi Parku Rinia në Tiranë.
Që shteti t’a bëjë lulishte duhet që ta shpronësojë por shpronësimi i pronarëve atje kushton me qindra miliona euro për shkak të vlerës së projekteve përkatëse që ka pasur për zhvillimin.
Në rast se shteti do të hynte në shpronësim gjatë kohës që ishte Hajdin Sejdia, duhej të dëmshpërblente për projektin e tij, i cili ishte miratuar më parë.
E në rast se shkon sot, sërish duhet të dëmshpërblejë pronarët apo ata që kanë kërkuar leje zhvillimi të pronës së tyre, për ta lënë park siç pretendojnë shumë qytetarë të Tiranës.
Ajo që ka ndodhur në të vërtetë është kthim prone, zhvillim prone dhe asnjëherë nuk ka gëzuar statusin e lulishtes.
Kush e do lulishte duhet t’i kërkojë qeverisë ta shpronësojë me qindra milliona euro”, thuhet në një shkrim të postuar nga portali i familjes Berisha.
Pra ndryshe nga sa thotë Zeni dhe i ati se s’kanë lidhje me këtë projekt, mbrojtja e tij nga media e tyre familjare, flet më shumë se fjalët e tyre.