Shqipëria po hyn në fazën kur paprekshmëria e ka prekur fundin dhe nga informacionet që disponon gazeta “SOT” nuk do mbetet më askush i paprekur.
Duket se mesazhet e hedhura së fundmi për arrestime VIP nuk janë të rastësishme dhe duket se kemi hyrë në një stinë ku emra të tjerë do të shkojnë pas hekurave dhe gjasat janë që do të jetë SPAK ai që do të heqë nga skena politike personazhe që nuk mundet të hiqen me votë.
Aksioni që pritet të zhvillohet nga SPAK gjatë javëve në vijim duket i mirëmenduar dhe mirëorganizuar. Mësohet se organet ligjzbatuese kanë nisur lirimin e të dënuarve për vepra penale të rëndomta, me synimin që rreth 150 qeli të jenë gati për “viktimat” e SPAK. Dosjet po bëhen mal në SPAK. Shumë prej tyre janë drejt përfundimit dhe tani pritet të lëshohen vetëm urdhër-arrestet.
Shpërthejnë dosjet në SPAK
Duke parë këtë gjendje gatishmërie të krijuar, krijohet përshtypja se drejtësia shqiptare po përgatitet për një fushatë të madhe “goditjesh” emrash të rëndësishëm të politikës dhe pushtetit në Shqipëri.
Analistë dhe gazetarë të ndryshëm kanë përfolur për një kohë të gjatë se përveç Partisë Socialiste në pushtet, do të dërgohen para togave të zeza edhe emra nga radhët e Partisë Demokratike e Partisë së Lirisë. Muajt e fundit, ministrat socialistë Olta Xhaçka, Frida Krifca, kreu i PL Ilir Meta, djali ish-kryeministrit Berisha, Shkëlzen Berisha, ish-ministri demokrat Aldo Bumçi, nënkryetari i PL Petrit Vasili, e shumë të tjerë deputetë e ish-deputetë për t’u ballafaquar me një sërë hetimesh që kanë të bëjnë me një sërë çështjesh që SPAK po merret gjerësisht si: Abuzimet me fondet e BE, koncesionet në shëndetësi, ku të rrezikuar janë me dhjetëra zyrtarë të lartë dhe koka kryesore është Ilir Beqaj, privatizimi dhe afera korruptive e CEZ-it, shpërthimi në Gërdec, lobimin e ish-LSI në SHBA për të marrë pjesë në inaugurimin e ish-presidentit Donal Trump në 2017, pastrim parash në Qipro, Austri e San Marino, privatizimi i ish-kompleksit sportiv “Partizani” nga dhëndri i kreut të “Foltores” Berisha, Jamarbër Malltezi, afera korruptive e inceneratorëve, abuzimi me pronat e ushtrisë, etj.
Burgun e rrezikon dhe Damian Gjiknuri, pas daljes së emrit të tij tek dosja e inceneratorëve. Teksa për vite me radhë, SPAK ka shënjestruar ish-ministra, ish-kryebashkiakë e ish-deputetë nga PS, pritet që shënjestra të ndryshojë këtë verë dhe nga opozita.
Ilir Meta dhe Monika Kryemadhi më të rrezikuarit
Ilir Meta njihet për kërcimet e tij, trampolinat spektakolare në politikë, por më shumë me drejtësinë, edhe me skandalet publike, edhe pse është personi i vetëm i kapur në Shqipëri me zë dhe figurë në pazar korruptiv me ish-ministrin e tij, Dritan Prifti. Manipuloi drejtësinë dhe e nxori të pavlefshme videon. Atë që panë shqiptarët me zë dhe figurë, gjykata vendosi që nuk ishte e vërtetë.
Por këtë herë çiftin më të përfolur për korrupsion, Meta-Kryemadhi i presin ditë të zeza. Nuk është më ajo gjykatë dhe ata njerëz që shpëtuan Metën nga burgu në vitin 2011, por amerikanët të cilët luajnë fijet në SPAK. Metës dhe Kryemadhit i lexohet frika në ballë duke parë dhe daljet e shpeshta ditët e fundit. Alarmi i tyre është hetimi i thelluar i dosjes me para të pista që mund të fundosë familjarisht Metën dhe Kryemadhin, por edhe besnikët e tyre në partinë me 3-4 veta që tani drejtojnë.
Meta dhe Kryemadhi në terror
Gazeta “SOT” ka mësuar detaje të reja për këtë aferë të madhe që janë shtrirë hetimet deri në Qipro, Vjenë dhe San Marino. Metës i janë bashkuar 3 denoncime për pastrim parash. Afera e lobimeve po vazhdon të plotësohet me informacion pasi prokurat specialë vazhdojnë të pyesin njerëz nga LSI që kanë dijeni për këtë çështje.
Por ajo që ka mbetur në hije dhe që dyshohet se ka nxjerrë nga kontrolli Metën dhe Kryemadhin janë detajet që SPAK mund të zbulojë në Qipro, Vjenë dhe San Marino për ndërhyrjet estetike “VIP” me paratë e korrupsionit. Ne disponojmë të gjithë dosjen që ndodhet në SPAK për Metën dhe Kryemadhin, për të cilën drejtësia e re po thellon hetimet. Letër-porositë nga këto vende për SPAK prite të zbulojnë të gjitha abuzimet e familjes së Metës.
Zbardhet dosja në SPAK
Në kallëzimin që regjistroi SPAK për Metën dhe Kryemadhin rezulton se, në shtetin e San Marinos, ekziston një spital/klinikë private e quajtur “ Casa di Cura Privata Domus Medica” me adresë “Strada Genghe di Atto, 101 Acquaviva RSM”. Në këtë spital kryhen kryesisht trajtime dhe ndërhyrje estetike nga persona “VIP“ të botës së artit, sportit, shoë biz-it por jo vetëm. Spitali privat i lartpërmendur njihet si një nga më të kushtueshmit dhe ka staf të përbërë me mjekë të ndryshëm të cilët ndjekin pacientët e këtij spitali.
Ky spital njihet jo vetëm për mjekët shumë të kualifikuar, por edhe për tarifat që aplikon për pacientët e saj, të cilat janë tepër të larta. Nga kërkimet e bëra, rezulton se personazhe të cilët kanë marrë trajtimet e këtij spitali janë edhe ish-Presidenti i Republikës së Shqipërisë, z.Ilir Meta, deputetja e Kuvendit të Shqipërisë znj. Monika Kryemadhi dhe fëmijët e tyre. Një prej mjekëve të këtij spitali është dhe shtetasja Silva Shametaj/Ruli.
Sipas investigimeve të bëra, mjekja Silva Shametaj është mikeshë personale e Monika Kryemadhit dhe Ilir Meta, si dhe personi që ka ndjekur kryesisht ndërhyrjet dhe trajtimet që shtetasit Monika Kryemadhi, Ilir Metaj dhe fëmijët e tyre kanë bërë pranë këtij spitali. Monika Kryemadhi ka bërë ndërhyrje të shumta estetike dhe sipas informacioneve, një pjesë janë bërë në spitalin “Casa di Cura Private Domus Medica” në San Marino.
Gjithashtu edhe shtetasi Ilir Meta është klient i këtij spitali në të cilin ndjek trajtimet estetike në harqe kohore periodike, pas ndërhyrjes së bërë në Vjenë për dobësim (rrethana të cilat do t’jua shpjegojmë më poshtë). Jo vetëm çifti Meta-Kryemadhi ka marrë trajtim pranë këtij spitali, por edhe fëmijët e tyre të cilët gjithashtu janë klientë të këtij spitali e kanë bërë trajtime estetike.
Transfertat e parave përmes kompanive “offshore” në Qipro
“Të dhënat e këtyre shtetasve gjenden në kartelat mjekësore të spitalit, provohen me hyrjet – daljet e sistemit TIMS, si dhe nëpërmjet transfertave bankare që i janë bërë spitalit. Familja Meta ka marrë një sërë trajtimesh në kohë të ndryshme pranë këtij spitali, kostot e të cilave arrijnë shifra marramendëse.
Vlen për t’u përmendur fakti se vetëm njëri prej trajtimeve të kryera nga Monika Kryemadhi për shërbime estetike, sipas transfertës së datës 04.06.2018, paguar nga një llogari anonime nga një bankë offshore në Qipro, ka vlerën 287. 650 Euro dhe me përshkrim “Pagesë për shërbime të klientit Monika Kryemadhi nr regjistrimi MK54852147 (Pagamento per servissi cliente Monika Kryemadhi nr di registrazione MK 54852147)“.
Referuar këtyre rrethanave, faktit se pagesa kryen nga llogari offshore dhe asnjë prej këtyre shpenzimeve nuk është deklaruar në deklaratat periodike vjetore të tyre, të krijohet dyshimi i arsyeshëm se këta shtetas kanë përdorur para të përfituara nga aferat korruptive, duke i futur në sisteme bankare në rrugë të jashtëligjshme për t‘i përdorur ato për qëllime personale. Në këtë mënyrë me veprimet e tyre të kundraligjshme dhe që janë shoqërisht të rrezikshme, kanë konsumuar elementet e veprës penale të sipërcituara”, theksohet në kallëzimin që disponon gazeta “SOT”.
Ja ku janë përqëndruar hetimet e SPAK
SPAK po administron të gjitha hyrje-daljet e shtetasve të kallëzuar në sistemin TIMS.
SPAK po administron kartelat shëndetësore nga spitali në San Marino për personat e familjes Meta që kanë marrë trajtime atje, së bashku me faturat dhe urdhërxhirimet për likuidimin e këtyre faturave.
SPAK po verifikon mbajtësit e llogarive të cilët administrojnë llogaritë bankare në “pronësi” të Monika Kryemadhit.
SPAK po heton deklarimet periodike pranë ILDKPI për të kallëzuarit subjekte të deklarimit dhe familjarëve të lidhur me ta.
SPAK po verifikon nëse në këto banka ka llogari të tjera në emër të personave të cilët kanë kryer pagesa për llogari të Monika Kryemadhit.