Nga Mero Baze
Lulzim Basha po përpiqet ti dalë para diskretitimit ligjor dhe politik me “Dosjen Babale” duke paralajmëruar sot atë që në të vërtetë do të ndodhë, faktin që kaseta është e inskenuar.
Deklarata pasoi takimin e ambasadorit Lu në zyrën e Ministrit të Brendshëm Xhafaj, që e bën më të qartë dhe qartësinë që kanë ndërkombëtarët për këtë çështje.
Por Lulzim Basha nuk e ka problemin se “Dosja Babale” është fallco. Ajo që pritet të bëhet publike nga hetimi është më e rëndë se kaq.
Paniku që Lulzim Basha kishte nga përgjimi i një javë më parë, shpjegon shumë për këtë gjë.
Personazhi që ka regjistruar zërin si vëllai i Xhafajt, ka bezdisur PD-në dhe Bashën me telefonata javën e shkuar duke u kërkuar paratë që ata nuk ia kanë dhënë, dhe frika e Bashës se prokuroria po përgjonte personazhin në fjalë, e ka futur atë në panik, jo se dosja “Babale” është fallco, por se autorët e dosjes janë në zyat e SHQUP-it dhe në krye të PD.
Është kjo arsyeja që Basha bën sikur po nxehet se “Dosja Babale” po del fallco.
Ajo nuk do shumë mend që ishte fallco. Shqetësimi real është për ata që kanë prodhuar falcitetin dhe gjurmët e këtij krimi, me paramendim politik, të çojnë tek Lulzim Basha.
Për fatin e tij të keq, kasetën e kanë ekspertuar dhe autoritet e drejtësisë në Shqipëri dhe një laborator Perëndimor i njohur, dhe po ashtu pala e interesuar në një tjetër laborator të njohur.
Por tanimë fallciteti i kasetës është në plan të dytë. Në plan të parë janë hetimet rreth kasetës.
Dhe ata që nxitojnë të thonë se hetimet plotësuese rreth kasetës nuk janë bërë, nxitohen. Prokuroria ka bërë hetime, ka marrë dëshmi dhe prova që mbulojnë ngjarjen edhe sikur kaseta të mos egzistonte dhe mos u çudisni kur të shikoni një serial të ri makinacionesh politike, për të prodhuar “revolucion në gotë të rakisë” në Kinostudion “SHQUP”.
Dhe implikimi i Lulzim Bashës, shkon deri dhe tek gjetja e lekëve për “Babalen” dhe mos pagesat korrekte për bashkëpunëtorët e tij të mërzitur.
Këto janë arsye të forta për ta futur Bashën në panik dhe të bëjë sikur po mërzitet me kasetën fallco të “Babales”. Në fakt duhet të mërzitet si producent i saj.