Ashtu siç kishte paralajmëruar, biznesmeni Gjergj Luca ishte sot në Prokurorinë e Posaçme Anti Korrupsion dhe në një deklaratë tha se bëri një padi për shpifjet në media që janë bërë ndaj tij.
Luca thotë se do të ‘luftojë’ shpifjet në media dhe për gazetarët u shpreh se do të përballet me gjobëvënësit mediatikë për të ruajtur dinjitetin.
“Erdha këtu për të ruajtur fytyrën time. Nuk do ta kthej në personale. Dua të hap një betejë për të gjithë mediat e tallavasë. Ja drejtoj të gjithë dallavereve që mundohen për me bo pis çdo gjë në këtë vend.
Kur lexova artikull që isha një organizatë, organizues i një grupi të madh kriminal, trafikant i regjur që bëja gjithë kokainën dhe Ballkanin, kur kam marrë pjesë në urdhërimin e vrasjeve, kur lexova që kam pastruar lekët e krimit, mu duk vetja kaq burrë i fortë edhe kaq burrë me vlera, erdha para kësaj gjykatës këtu mbrapa që po i kthen besimit shqiptarëve, para kësaj gjykatës që mendoj se ne njerëzve që punojmë të na kthejnë pushtetin.
Kërkova që të gjykohen nga shteti im a jam unë ky që shkruhet në këtë artikull, apo ky njeri duhet të të gjykohet për shpifje, poshtërisë, intriga gjobëvënie”, tha Luca.
Në fund, Luca ka një thirrje për të gjithë gazetarët ku thotë se duhet të çohen dhe të bëjnë një ligj për mediat online, ndërsa një mesazh e pati edhe për ambasadat e huaja në vendin tonë.
“Ju duhet të çoheni peshe për të kthyer ligjin e medias, për të vënë dinjitetin e vetes tuaj, për mos me ju ngatërruar me këto horra që bëjnë pis çdo gjë. Kam thirrje për të gjitha ambasadat e Europës, që thonë bëni si them unë dhe mos bëni si bëj unë, kush është ligji për mediat?
Shkoni në Itali flisni për njerëzit që punojnë, ju marrin zvarrë ju fusin brenda dhe ju thonë vërtetoni fjalët tuaja, nëse s’keni shans për t’i vërtetuar, iu marrin dhe ju lënë në burg dhe ju heqin të drejtat”, tha Luca.