Një sherr i lindur aty për aty, për motive të dobëta sipas policisë, u bë shkak për dhunën e ndërsjellët pasditen e së shtunës në një pikë karburanti në Lezhë (Lexo më shumë). Protagonistë të kësaj ngjarjeje janë Migjen Mulaj, një 37-vjeçar nga Kosova, si dhe dy punonjësit e karburantit, Kujtim Rusi dhe Nikoll Sokoli, 52 dhe 61 vjeç.
Por çfarë ndodhi ekzaktësisht pasditen e së shtunës? Në një njoftim për mediat, policia e Lezhës sqaroi dinamikën e ngjarjes.
Kështu, rreth orës 18:30, 37-vjeçari nga Kosova ndaloi në pikën e karburantit që ndodhet në aksin rrugor Lezhë-Milot. Një keqkuptim gjatë bisedës mes tyre dyshohet se u bë shkak që Mulaj t’i sulmonte dy punonjësit fizikisht. Më pas ai hipi në makinë dhe tentoi t’i përplaste, sipas policisë, duke i rrezikuar seriozisht jetën.
Gjatë kësaj tentative, 37-vjeçari u përplas me makinë edhe me ambientet e brendshme të karburantit duke shkaktuar dëme.
Përballë kësaj situate, dy punonjësit e karburantit Rusi e Sokoli reaguan duke e goditur me shkopinj 37-vjeçarin.
Në video, dy punonjësit e karburantit shihen teksa e godasin 37-vjeçarin me shkopinj. I gjakosur ai tenton të kundërpërgjigjet, ndërsa pranë ndodhet edhe një grua, që përpiqet pa sukses, për t’i ndarë.
Si pasojë e plagëve të marra, Mulaj përfundoi në spital. E pasi të jetë rikuperuar, së bashku me të dy punonjësit e karburantit do të duhet të përballet me drejtësinë, pasi policia i vuri të tre në pranga.
Migjen Mulaj akuzohet për vrasje me dashje e mbetur në tentativë dhe shkatërrim prone. Ndërsa Nikoll Sokoli dhe Kujtim Rusi akuzohen për plagosje e rëndë me dashje kryer në bashkëpunim./tvklan.al