Një punonjëse policie në Greqi është rrahur brutalisht nga bashkëshorti i saj në qytetin e Larisës. Policja 43-vjeçare ndodhet prej ditës së djeshme më kujdes intensiv Spitalin e Përgjithshëm të qytetit.
Pasditen e së enjtes ajo iu nënshtrua një operacioni delikat, pas këputjes së veshkës që pësoi nga goditjet e rënda që mori në të gjithë trupin.
Mediat greke shkruajnë se fytyra e saj është shpërfytyruar plotësisht, pasi ka shumë mavijosje dhe disa dhëmbë të thyer.
Ajo ka lëndime edhe në bark dhe në organet e brendshme. Policja u dërgua në spital në gjendje kritike për jetën por mundi të shpëtonte falë ndërhyrjes në kohë mjekëve.
Ajo që e bën më të rëndë rastin, është se bashkëshorti i saj një biznesmen 53-vjeçar e rrahu brutalisht në sy të fëmijëve të mitur.
“Ngjarja e rëndë ndodhi rreth orës 04:00 të së enjtes në shtëpinë e çiftit, kur biznesmeni 53-vjeçar filloi të rrihte me furi gruan e tij në sy të fëmijëve të tyre, të cilët u zgjuan nga klithmat e nënës dhe sherri i ashpër.
Arsyeja pse 53-vjeçari ka rrahur brutalisht gruan e tij 43-vjeçare, është se kjo e fundit i kishte kërkuar t’i jepte fund martesës së tyre, për shkak të dhunës”, shkruajnë mediat greke.
Sipërmarrësi 53-vjeçar, pronari i një lokali, u arrestua nën akuzën për vrasje në tentativë.
Sipas njerëzve të afërt të çiftit, kjo nuk ishte hera e parë që biznesmeni abuzonte me gruan e tij, pasi kishte pasur edhe incidente të tjera të ngjashme të dhunshme. Në fakt, në të shkuarën e afërt 43-vjeçarja është detyruar ta padisë tek autoritetet për kërcënime dhe sjellje abuzive, si pasojë e të cilave ai u arrestua.
Mirëpo, më vonë biznesmeni arriti ta bindë gruan e tij që të mos e braktiste dhe të tërhiqte akuzat.