Shqiptarët preferojnë që fundjavat t’i kalojnë në plazhet shqiptare, ndërsa për pushime më afatgjata zgjedhin masivisht Turqinë dhe Greqinë.
Aneo Hila, tur operator thotë: Si gjithmonë ne kemi qejf që të ndjehemi me pushime kur të dalim nga Shqipëria. Vazhdon të udhëheqë Turqia, që ka 20 vite që promovohet turizmi me ‘all inclusive’. Ndiqet dhe me Greqinë, prej 10 vitesh vazhdon të jetë e fuqishme për moshat e reja, për ata që janë më aktivë. Dëshirë e madhe tani është edhe për Italinë.
Për pushime në atdhe, shqiptarët preferojnë kryesisht jugun e Shqipërisë, ndryshe nga sa ndodh me shqiptarët e Kosovës që janë besnikë të detit Adriatik.
Aneo Hila: Zotëron gjithmonë jugu i Shqipërisë, Tirana zbrazet totalisht në fundjavë dhe kur shkon në jug nuk hedh dot kokrrën e mollës sepse është e bllokuar me njerëz.
Rritja e kostove vitet e fundit ka reduktuar edhe ditët e qëndrimit me pushime.
Aneo Hila: Kohëzgjatja 6 netë për Turqinë, kurse Greqia diku tek 5 ditë. Ka një reduktim të ditëve për shkak të ngritjes së kostove, por pavarësisht prapë njerëzit preferojnë të dalin jashtë vendit.