Belind Këlliçi, i cili praktikisht është zhdukur publikisht pas humbjes së thellë më 14 majit, ka vendosur të rikthehet si… prokuror.
Ai ka vendosur të ngrejë një grup hetimor për inceneratorin e Tiranës, paralel me SPAK.
“Ish-kandidati për kryetar bashkie në Tiranë, Belind Këlliçi, ka ngritur një grup ekspertësh për të rilexuar, hetuar, verifikuar çdo fakt të publikuar në media, si dokumentat që disponon Partia Demokratike, etj.
Dokumentat do t’i vihen në dispozicion nga qytetarët dhe bashkëpunëtorë të ndryshëm të cilët mund t’i japin informacione dhe të dhëna të qenësishme që mund të ndihmojnë në zbardhjen e të vërtetës deri në fund për çështjen e inceneratorit”, shkruan portali i familjes Berisha.
“Faktin për grupin e ekspertëve e konfirmoi publikisht për “Syri Tv” edhe ekspertja e ekonomisë, Brisida Shehaj, e cila theksoi se Belind Këlliçi ishte duke ngritur një grup specialistësh për të verifikuar të gjitha problematikat, teknikalitet, shkeljet e ligjit në lidhje me aferën e inceneratorit të Tiranës, paralel kuptohet me investigimin, hetimin dhe ekspertizën që ka bërë SPAK.
Kjo që do të bëjë grupi i ekspertëve të Belind Këlliçit do të jetë në çdo detaj, për çdo kompani, për gjithë subjektet e përfshira, për çështjet tekniko-ligjore deri tek pagesat, kontratat, nënkontraktimet, mediat dhe gjithçka që është përfshirë në aferën më të madhe të shekullit, siç është ajo e inceneratorëve”, vijon shkrimi.
Të shohim nëse Këlliçi do të ketë sukses më shumë si prokuror, se në politikë tani konsiderohet një “kartë e djegur”.