Sali Berishës pritet t’i shtohet dhe një tjetër dosje. Gazeta “SOT” e raportoi pak javë më parë se djali i Remzi Hoxhës dhe familjarët e tjerë të tij, posaçërisht aktori i madh i hapësirave shqiptare, Xhevat Linani, kunati i Remzi Hoxhës, kanë pajisur avokatin e njohur Idajet Beqiri me një prokurë të përgjithshme për të bërë të mundur rihapjen e këtij procesi dhe vënien para përgjegjësisë ligjore para SPAK të Sali Berishës, si ideatori dhe urdhëruesi kryesor i vrasjes së Remzi Hoxhës. Por si dhe pse u zhduk biznesmeni Hoxha?
Analisti i njohur Frrok Çupi ka nxjerrë disa informacione tronditëse se si trupi i tij u zhduk nga militantët e Sali Berishës.
Si dhe pse u zhduk Remzi Hoxha
Sipas Çupit, Berisha, ishte kapur në atë kohë në një takim të fshehtë me presidentin Sllobodan Millosheviç dhe videon e dispononte Remzi Hoxha. Analisti shprehet se pamjet sekrete me të fshehtat në kufirin Shqipëri- Maqedoni i kushtuan kokën biznesmenit.
“Betejat më të pista, që shpesh janë quajtur ‘beteja heroike’ i kemi zhvilluar në kufijtë me fqinjët. Madje edhe miliarda dollarë diktatura komuniste i shpenzoi për të mbyllur kufijtë me fqinjët; Europën e kishim larg, izolimin e parë e kishim me Greqinë, Serbinë, Maqedoninë, Malin e Zi… Kjo ishte krenaria jonë. Pas viteve ’90 u kryen vrasje njerëzish në këto pika kufitare. Në vjeshtën e viti 1995 këtu u ndjenë trazirat më të mëdha mes dy shteteve.
Në anën e përtejme, dikush kishte ngritur kurthin e një krimi shtetëror: Presidenti i Maqedonisë, Kiro Gligorov, papritur u gjend nën një sulm terrorist me lëndë plasëse, para një hoteli në Shkup. Presidenti u plagos rëndë, ndërsa shoferi vdiq. Gishti i parë i akuzës u drejtua për nga Qafë Thana me dyshimin e atentati ishte kryer nga shqiptarë. Po atë vit një atentat tjetër politik u krye mes Shqipërisë e Maqedonisë. Presidenti i Shqipërisë, Berisha, ishte kapur në një takim të fshehtë me presidentin Sllobodan Milloshevic. Për këtë u vra Remzi Hoxha, edhe trupi i tij u zhduk nga militantët e Sali Berishës.
Videon e dispononte dhe Azem Hajdarin
Në shkrimin e tij, Çupi përmend deklaratën e fortë të Hashim Thaçit, i cili zbuloi se videon ku shfaqej takimi i fshehtë mes Sali Berishës dhe Sllobodan MIlloshevicit dhe Gligorovit në Ohër e kishte në dorë dhe Azem Hajdari, por dhe ky pësoi të njëjtin fat tragjik si Remzi Hoxha. “Takimin Berisha- Miloloshevic, Glogorov, e ka zbardhur gazetari kosovar, Ali Uka.
Pas vrasjes së Ali Ukës, pikërisht për shkak të ‘të fshehtave në kufirin Shqipëri- Maqedoni, ka dëshmuar Hashim Thaçi, president dhe kryeministër i Kosovës. Thaçi dëshmon: “Sipas Ali Ukës që fliste hapur në atë kohë me mua, arsyeja e vrasjes ishte ajo se Remzi Hoxha kishte arritur të siguronte një dëshmi, video-incizim të një takimi të fshehtë mes Sali Berishës dhe Sllobodan MIlloshevicit dhe Gligorovit në Ohër.
Mendoj se dy njerëz e kanë pasur atë video, Azem Hajdari dhe Ali Uka, asnjëri prej tyre nuk jeton, dhe këtë mund ta thotë vetëm Sali Berisha se ku ndodhet”, tregon Thaçi. Kufiri i mbyllur, aq më keq i hapur vetëm për njerëz në krye të krimit si Milloshevic e Berisha, janë të destinuara për vrasje, trafiqe e pisllëk. Kudo në kufijtë e mbyllur ka ndodhur e njëjta gjë: Në kufirin mes Tropojës e Gjakovës, në kufirin e Shkodrës me Malin e zi…, kudo është bërë nami nga krimi i pushtetarëve dhe mafiozëve si- vëllezër”, përfundon Frrok Çupi.
Detajet nga dosja e Remzi Hoxhës
Në 21 tetor të vitit 1995, në Tiranë do të ndodhte një prej ngjarjeve më të rënda që u tentua të fshihej nga pushteti i kohës. Biznesmeni nga Kosova Remzi Hoxha, i njohur si aktivist i çështjes kombëtare, u rrëmbye nga Shërbimi Informativ Kombëtar, u torturua deri në vdekje dhe trupi i tij u zhduk për të mos u gjetur kurrë.
Ky është një skandal që e ka shoqëruar karrierën 30-vjeçare të Sali Berishës, edhe pse ai kurrë nuk ka pranuar të ketë pasur dijeni për këtë ngjarje. Në fakt, prokurorët që kanë zbuluar që në atë kohë autorësinë e SHIK-ut të Bashkim Gazidedes rrëfejnë se u penguan nga krerët e shtetit t’i shkonin deri në fund çështjes.
“Unë e kam hetuar çështjen e Remzi Hoxhës, kemi grumbulluar prova dhe kemi arritur në përfundimin që Remzi Hoxha ishte rrëmbyer nga autoritetet e Shërbimit Sekret Shqiptar. Hetimet u bllokuan si pasojë e presionit politik. Mbrojtjes së hapur që iu bë autorëve të krimit direkt dhe indirekt nga zyrtarët më të lartë të asaj kohe” u shpreh Shkëlqim Hajdari, Ish-Kryeprokuror i Apelit. /Elmas Bogdani