Hapja e dosjeve “Gërdeci” dhe privatizimi i ish-kompleksit “Partizani” nga Struktura e Posaçme Kundër Krimit të Organizuara dhe Korrupsionit, në të cilat janë implikuar familjarët e tij, duket se ka trembur ish-kryeministrin Sali Berisha, i cili dje u është rikthyer sulmeve dhe akuzave ndaj SPAK.
Sot që flasim hetimet për këto dosje kanë avancuar shumë, ndërkohë që në përfundim pritet që Prokuroia Speciale të lëshojë urdhër-arreste për dhëndrin dhe djalin e Sali Berishës, respektivisht Jamarbër Malltezi, i cili dyshohet se është implikuar në aferën e privatizimit të ish-kompleksit “Partizani” dhe Shkëlzen Berisha, që gjithashtu dyshohet se është përfshirë në tragjedinë e “Gërdecit”.
Por këto sinjale që vijnë nga SPAK, kanë detyruar dje Berishën të dalë nga strofulla, teksa ka shfrytëzuar një konferencë për mediat të thirrur për çështjen e inceneratorëve për të sulmuar Prokurorinë e Posaçme Kundër Krimit të Organizuara dhe Korrupsionit. Sipas Berishës, SPAK është vegël e qeverisë. “Erion Veliaj që fërkon duart me mandat arrestin e drejtë të Arben Ahmetit në aferën e Djegësit të Tiranës është shumëfishi i tij. Ai përhap kudo lajme se unë e kam mbyllur aferën me Skapin e partisë.
Kujtoni pak kërcënimet, epitetet që i vinte ai këtij institucioni në grindjen që bëri me kreun e Federatës Shqiptare të Futbollit. Por pavarësisht nga këto, në kod ligjor dhe moral, Erion Veliaj është hajduti i parë i djegësit të Tiranës. Drejtësia mund të vonojë, por kurrë nuk do ta harrojë atë”, deklaroi ai. Pra duket qartë se ish-kryeministri Sali Berisha është në panik nga avancimi i hetimeve që SPAK po iu bën dosjeve ku janë implikuar familjarët e tij, kështu që ai sajon konferenca për shtyp për të sulmuar dhe shantazhuar prokurorët specialë.