Nga Frrok Çupi
Ku jemi këtu, në Qafë Thanë? Pika kufitare mes nesh e Maqedonisë u hap sot, mund të kalosh vetëm më një kontroll, jo si më parë të presësh me orë. Kjo është Qafë Thana e re, mund ta quash…
Pjesës së përtejme të kufirit i thonë Kjafasan; por ne shqiptarët kurrë nuk e mësuam. Madje as aq sa mësuam se në anën përtej të Kapshticës quhej Krystallopigis.
Përgjithësisht, si ne shqiptarët, ashtu edhe grekët apo sllavët e Maqedonisë nuk i thërrasim emrat e zonave kufitare me fqinjët. Kam menduar se kjo vjen nga izolimi i gjatë i vendit tonë në periudhën e diktaturës, ku as mundnim e as na interesonte si quhej ai shkëmbi përtej kufirit tonë. Por ka një lidhje edhe me nacionalizmin etnik në Ballkan, një fuqi e verbër që u ka bërë dëm të gjithë nacionaliteteve. Këtë e lidh edhe me faktin se as shqiptarët etikë të Strugës, Tetovës apo Gostivari, nuk u vinte për mbarë të thonë ‘Kjafasan’, por edhe atë e quanin ‘Qafë Thanë’.
‘Kjafasanin’ na e bënte pak më të largët pamja që përjetuam edhe pasi u krye hapja e Shqipërisë, domethënë pas rënies së diktaturës komuniste. Dy gjëra të kundërt më kanë bërë ta përjetoj me të njëjtën ‘pakënaqësi’ atë zonë:
E para, se me zor kalonim kufirin, me kontrolle të vështira e të sforcuara, shpesh nën shi ose në atë erë të ftohtë që fryn në pikën kufitare. Sapo e kalonim atë pikë kufitare, në anë të rrugës e madje edhe në ato pyje lisi, përgjonin tanke dhe militarë maqedonas. Që nga hekuri i tankut e deri te njeriu militarë, vëzhgonin rrugën, domethënë ishin në gjueti të kalimtarëve shqiptarë. Ndonjërit, papritur, mund t’i shkrepte në kokë që të qëllonte kundër nesh që ishim shqiptarë, e askush nuk na paguante. Pse të mos mendoja kështu, përderisa ata për këtë gjë po përtypnin natën dhe ditën, borën dhe diellin e nxehtë të zonës?!
Gjëja e dytë që më bëri të përjetoj me ‘pakënaqësi’ të thellë emrin sllav ‘Kjafasan’, ka lidhje me pakënaqësi ndaj vetes, domethënë ndaj vendit tim. Pika kufitare Qafë- Thanë ose Kjafasan, dukej nga larg se ndante dy botë. Pjesa andej, e Maqedonisë, pritej si me thikë. Pritej nga pemë të larta, nga një pyll i dendur që të bënte të thuash: “po këndej nga vendi im, çfarë e përpiu pyllin?” E ja kështu ishte historia jonë, pyllin e kishim shkretuar.
Ndërsa tani zor se vihet re kjo diferencë. Kemi shkuar e ardhur nëpër botë gjithë këto tre dekada, aq sa jemi afruar e kapërcyer mjaft si me fqinjët edhe me perëndimorët e Europës.
Betejat më të pista, që shpesh janë quajtur ‘beteja heroike’ i kemi zhvilluar në kufijtë me fqinjët. Madje edhe miliarda dollarë diktatura komuniste i shpenzoi për të mbyllur kufijtë me fqinjët; Europën e kishim larg, izolimin e parë e kishim me Greqinë, Serbinë, Maqedoninë, Malin e Zi… Kjo ishte krenaria jonë.
Pas viteve ’90 prapë u kryen vrasje njerëzish në këto pika kufitare. Në vjeshtën e viti 1995 këtu u ndjenë trazirat më të mëdha mes dy shteteve. Në anën e përtejme, dikush kishte ngritur kurthin e një krimi shtetëror: Presidenti i Maqedonisë, Kiro Gligorov, papritur u gjend nën një sulm terrorist me lëndë plasëse, para një hoteli në Shkup. Presidenti u plagos rëndë, ndërsa shoferi vdiq. Gishti i parë i akuzës u drejtua për nga Qafë Thana me dyshimin e atentati ishte kryer nga shqiptarë.
Po atë vit një atentat tjetër politik u krye mes Shqipërisë e Maqedonisë. Presidenti i Shqipërisë, Berisha, ishte kapur në një takim të fshehtë me presidentin Sllobodan Milloshevic. Për këtë u vra Remzi Hoxha, edhe trupi i tij u zhduk nga militantët e Sali Berishës.
Takimin Berisha- Miloloshevic, Glogorov, e ka zbardhur gazetari kosovar, Ali Uka. Pas vrasjes së Ali Ukës, pikërisht për shkak të ‘të fshehtave në kufirin Shqipëri- Maqedoni, ka dëshmuar Hashim Thaçi, president dhe kryeministër i Kosovës.
Thaçi dëshmon:
“Sipas Ali Ukës që fliste hapur në atë kohë me mua, arsyeja e vrasjes ishte ajo se Remzi Hoxha kishte arritur të siguronte një dëshmi, video-incizim të një takimi të fshehtë mes Sali Berishës dhe Slobodan MIlloshevicit dhe Gligorovit në Ohër. Mendoj se dy njerëz e kanë pasur atë video, Azem Hajdari dhe Ali Uka, asnjëri prej tyre nuk jeton, dhe këtë mund ta thotë vetëm Sali Berisha se ku ndodhet”, tregon Thaçi.
Kufiri i mbyllur, aq më keq i hapur vetëm për njerëz në krye të krimit si Milloshevic e Berisha, janë të destinuara për vrasje, trafiqe e pisllëk.
Kudo në kufijtë e mbyllur ka ndodhur e njëjta gjë: Në kufirin mes Tropojës e Gjakovës, në kufirin e Shkodrës me Malin e zi…, kudo është bërë nami nga krimi i pushtetarëve dhe mafiozëve si- vëllezër.
Pse mbahet nën tension kufiri verior i Kosovës me Serbinë? Pse dërgojnë polici e ushtri të dyja palët? A, vallë për lirinë e popujve? Jo, kurrsesi…
Kurti bashkëpunon me kriminelët serbë dhe Vulin (Vuçiç) ka hapësirat e trafikut në policinë e Kosovës. Ajo zonë kufitare është tampon i krimit. Perëndimi tenton ta hapë, siç hapet plaga e infektuar; ndërsa Kurti- Vuçiç e mbajnë të mbyllur, të mbyllur si vdekja. Në atë pikë kultivohet krimi dhe vdekja e popujve. Po u hap ai kufi, atëherë vdes edhe krimi i dy qeverive dhe mafieve në bashkëpunim.
Dje, kur u ‘zhbë’ kufiri në Qafë Thanë- Kjafasan, me siguri janë tronditur edhe zyrtarët e veriut të Kosovës.
Tani Ballkani po rrethohet nga Hapja, me qëllim që të lirohet nga pisllëku.