Kryeministri Edi Rama i ka bërë thirrje drejtësisë që të godasë me gjithë forcën e ligjit për zjarrvënësit e qëllimshëm, një vepër penale që dënohet deri në 15 vite burg.
Kreu i qeverisë akuzon disa prej prokurorëve dhe gjyqtarëve në rrethe të cilët kanë mbyllur sytë përballë këtij krimi.
“POLICIA E SHTETIT po bën një punë të admirueshme për zbulimin dhe kapjen e autorëve të krimit të tmerrshëm të zjarrvënies në pyje.
20 zjarrvënës janë në arrest me burg, ndërsa të tjerët ndiqen në gjendje të lirë, por ende mungon ndëshkueshmëria e plotë, si pasojë e qasjes skandaloze dhe paturpësisht të papërgjegjshme të disa prokurorëve e gjykatësve nëpër rrethe, të cilët mesa duket s’ka atdhe, s’ka fe, s’ka din e as iman, që i frenon në krimin e tyre të indiferencës antiligjore ndaj një krimi si zjarrvënia.
Me ndryshimet që i kemi bërë vitet e fundit Kodit Penal, zjarrvënia e pyjeve dënohet deri në 15 vjet burg. U bëj apel organeve të inspektimit të drejtësisë dhe mbikqyrjes së veprimtarisë së prokurorëve e gjykatësve, që të mos bëjnë sehir karshi këtyre individëve të padenjë për t’i shërbyer ligjit të Republikës së Shqipërisë“, shkruan Rama.