Nga Aneta Duroviq REL
Sipas tij, lejimi i të miturve për të luajtur bixhoz, është një problem i madh.
“Është sekret publik që të miturit luajnë bixhoz. Ne kishim një forum prej 250 pjesëmarrësish, nga 15 vjeç. U kërkova të gjithëve që kishin përvojë në lojërat e fatit, të ngriheshin në këmbë. Vetëm rreth 30 prej tyre qëndruan ulur në karrige”, thotë Radovanoviq.
“Shoqëria e ka bërë të mundur që një fëmijë në moshën 15-vjeçare ose më të vogël, të largohet nga një pushim i gjatë shkollor dhe të luajë bixhoz. Kjo nuk duhet të ndodhë”, thekson ai.
Mbyllja e pikave të basteve, të klubeve automatike dhe të kazinove në Mal të Zi nuk është e realizueshme në mënyrën që kërkon Forumi Shqiptar, sepse shumë kompani kanë koncesion për organizimin e lojërave të fatit, thonë në Administratën e Lojërave të Fatit.
Koncesionet, thonë ata, nuk mund të ndërpriten pa e dëmtuar shtetin.
“Shoqatave që u është dhënë koncesioni për organizimin e lojërave të fatit… ai nuk mund t’iu hiqet deri në skadimin e afatit. Nëse do të hiqej para përfundimit të periudhës për të cilën është marrë, shteti do të duhet t’i kompensojë koncesionarët për fitimin e humbur”, thekson Administrata.
Mali i Zi, nga lojërat e fatit në vitin 2021, ka fituar mbi 14 milionë euro, ndërsa në vitin 2022 mbi 16 milionë.
Në Mal të Zi, lojërat e fatit rregullohen me një ligj të gati dy dekadave më parë.
Administrata e Lojërave të Fatit në Mal të Zi përmend Shqipërinë, ku lojërat e fatit janë zhvendosur në një zonë gri, për shkak të mbylljes së kazinove.
Në vitin 2019, në Shqipëri ka hyrë në fuqi ligji për ndalimin e lojërave të fatit, i cili ka mbyllur 4.300 pika bastesh. Ky vend ka lejuar baste vetëm në hotelet me pesë yje, jashtë zonave urbane.
Statistikat tregojnë se në Shqipëri – vend me rreth 2.8 milionë banorë – për çdo 670 banorë ka pasur një bastvënës, gjë që e ka detyruar shtetin t’i ndalojë lojërat e fatit.
Një anketë e Qendrës Evropiane për Monitorimin e Drogave dhe Varësisë nga Drogat, në vitin 2019, përfshiu të rinj të moshës 15 deri në 16 vjeç nga 35 vende. Si rezultat, norma më e lartë e nxënësve me përvojë në lojërat e fatit doli të ishte Greqi dhe Qipro (33 për qind), e ndjekur nga Mali i Zi (32 për qind).
Në maj të vitit 2019, në Kosovë ka hyrë në fuqi Ligji për ndalimin e lojërave të fatit, i cili ndalon funksionimin e bizneseve të lojërave të fatit për 10 vjet.
Ligji është propozuar nga Qeveria e atëhershme e Kosovës, kurse është miratuar në një seancë të jashtëzakonshme të Kuvendit të Kosovës në mars të atij viti.
Vendimi për mbylljen e lojërave të fatit është marrë pasi në dy kazino në qytete të ndryshme të Kosovës, janë vrarë dy persona.