Institucionet Ndërkombëtare, projeksione pozitive për rritjen ekonomike shqiptare gjatë vitit 2018
UASHINGTON, 6 qershor /ATSH/ – Ekonomia shqiptare projektohet me performancë ekonomike më të lartë se vendet e rajonit, në raportin e Bankës Botërore (BB) të qershorit 2018 për perspektivën e rritjes ekonomike botërore.
“Shqipëria pritet të ketë një rritje ekonomike stabël 3,6% në vitin 2018 dhe 3,5% në vitet 2019-2020, duke arritur të mbajë një normë rritjeje më të lartë se sa mesatarja e rritjes ekonomike të Ballkanit Perëndimor që është 3,2% në vitin 2018 dhe 3,5% në vitin 2019”, citon raporti i BB-së, citon raporti i BB-së.
Përsa i përket rritjes ekonomike të rajonit të Europës Lindore, ajo do të jetë 3,3% në vitin 2018, 3,6% në vitin 2019 dhe 3,5% në vitin 2020, të dhëna këto që tregojnë se performanca ekonomike e Shqipërisë do të jetë në mesataren e rajonit, ose më e lartë.
Sipas këtij raporti, rritja ekonomike në rajonin e Europës dhe Azinë Qendrore pritet të bjerë në 3,2% në vitin 2018 nga 4,0% që ishte në vitin 2017, ndërsa duke filluar nga viti 2020, rritja pritet të bjerë gradualisht në 3,0%.
Projeksionet pozitive të BB për rritjen e ekonomisë shqiptare, i bashkohen parashikimeve optimiste edhe nga institucionet e tjera ndërkombëtare.
Moody’s dhe S&P dhe Komisioni Europian, kanë dhënë vlerësime bindshëm më të larta për ecurinë e ekonomisë në Shqipëri.
Moody’s dhe S&P: Ekonomia shqiptare, sërish notë pozitive
Dy agjencitë prestigjioze të vlerësimit të riskut të kreditit të ekonomive në të gjithë botën, kanë konfirmuar vlerësimin e tyre pozitiv me parashikim të qëndrueshëm për ekonominë shqiptare, duke u bazuar në arritjet e shënuara në drejtim të konsolidimit fiskal, trajektoren rënëse të borxhit publik, progresin e reformave strukturore dhe përshpejtimin e rritjes ekonomike.
“Disiplina fiskale është ruajtur gjatë ciklit elektoral dhe Moody’s parashikon uljen e mëtejshme të deficitit në 2017-2018, mbështetur nga mirëmenaxhimi i shpenzimeve publike, përmirësimi i mbledhjes së të ardhurave dhe reduktimi i pagesave të lidhura me energjinë në reflektim të reformës në sektor. Rritja ekonomike pritet të përshpejtohet, ndërsa avancimi i procesit të integrimit do të ndihmojë në përmirësimin e klimës së biznesit dhe konvergjencën e të ardhurave me rajonin”, – citon raporti.
Për S&P vlerësimi B+/B, reflekton progresin e qëndrueshëm të vendit në drejtim të konsolidimit fiskal, mbështetur nga rritja e qëndrueshme ekonomike dhe progresi i reformave.
KE: Pritshmëri për rritjen e ekonomisë shqiptare
Komisioni Europian ka dhënë pritshmëritë më të larta për ecurinë ekonomike të Shqipërisë. Në një raport të fundit, ku analizohen ekonomitë e vendeve që aspirojnë për anëtarësim në BE, vihet re se Komisioni Europian parashikon një rritje të ekonomisë shqiptare prej 3.8% këtë vit.
Në raportin e KE-së thuhet se pritshmëritë janë që qeveria të rrisë elasticitetin dhe konkurrueshmërinë e ekonomisë duke forcuar sistemin financiar dhe duke ruajtur disiplinën fiskale.
Sipas projeksioneve të komisionit Europian rezulton se ekonomia shqiptare parashikohet të ketë rritjen më të shpejtë në rajon. /G.S/ /e.xh/ /a.g/