“Nuk i shpallim zgjedhjet në Veri, pa u hequr sanksionet”. Kështu ka thënë zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, në një takim me gazetarë në Prishtinë, raporton Radio Evropa e Lirë.
Bislimi, këtë qëndrim e pati edhe më 19 korrik pas takimit me të deleguarin e Bashkimit Evropian për dialogun, Miroslav Lajçak, duke u shprehur i habitur se pse ende shefi i diplomacisë së BE-së, Josep Borrell, s’po ndërmerr hapa për largimin e këtyre masave ndëshkuese.
“Në Bratisllavë kemi dakorduar një marrëveshje që quhet ‘Aranzhime mes Kosovës dhe BE-së për implementimin e qëndrimit të 27 vende anëtare të BE-së’ të datës 3 qershor. Rrjedhimisht titulli i asaj marrëveshje tregon se dakordimi ka të bëjë me zbatimin e kërkesave të BE-së, dhe i përgjigjet këtyre kërkesave të BE-së”, pati thënë Bislimi.
“Për ne ka qenë e qartë se kjo është rruga për tërheqjen e masave të BE-së që janë vendosur ndaj Kosovës, dhe për ne është habi se edhe tetë ditë pas dakordimit ende nuk kemi një letër shpjeguese nga ana e Borrell që të kërkojë largimin e masave nga Komisioni Evropian”, ka shtuar ai.
Por, Bislimi kishte pranuar se Kosova ende nuk ka zbatuar të gjitha kërkesat e BE-së për shtensionimin e situatës në Veri të Kosovës, por të paktën ka treguar gatishmëri për të bërë një gjë të tillë.
“Nuk mund të themi që i kemi zbatuar të gjitha masat, për arsye se një prej masave është mbajta e zgjedhjeve, por ne kemi treguar rrugën që të çon në normalizimin e situatës e mungesa e asaj rruge ka qenë preteksti i Bashkimit Evropian për vendosjen e masave ndëshkuese, tash gjetja e rrugës nënkupton edhe mekanizmin për heqjen e të njëjtave masa ndëshkuese”, ka shpjeguar ai.
Njëjtë si zëvendësi i tij, edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në një intervistë për njërën nga gazetat më të lexuara kroate “Vecernji List”, ka kritikuar sërish qasjen e Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës sa i përket dialogut për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Kur është pyetur për marrëdhëniet me bashkësinë e organizuar ndërkombëtare dhe arsyet që e detyruan atë të drejtojë gishtin nga Qeveria e Kosovës për tensionimin e situatës në pjesën veriore të vendit të banuar me serbë etnikë, kryeministri Kurti ka thënë se BE-ja e SHBA-ja kanë vënë bast për “kalin e gabuar” në Serbi.
“Brukseli dhe Uashingtoni kanë vënë bast për kalin e gabuar në Serbi, në presidentin e atjeshëm [Aleksandër Vuçiç]. Në fund doli që nuk ishte fare kalë, por dhelpër”, ka thënë kryeministri, ndërsa ka shtuar se “në vend të reflektimit dhe introspeksionit të tyre, ata më godasin mua”.
Kosova dhe Serbia kanë dhënë dakordimin e tyre për Aneksin Zbatues të Planit Evropian për rrugën drejt normalizimit. Ky dakordim iu dha përfaqësuesve të BE-së në Ohër të Maqedonisë së Veriut, më 18 mars, ndërkaq dokumenti i dakorduar në tërësi iu paraqit edhe Këshillit Evropian.