Kjo ka qenë kërkesa e Izet Haxhisë në seancën e parë te Gjykata e Tiranës: “Dua të përballem dhe ballafaqohem me denoncuesin tim Sali Berisha”. Haxhia dhe avokati i tij mbrojtës kërkojnë rigjykim dhe rihapjen e dosjes “Azem Hajdari”. “Denoncuesi dhe akuzuesi im Sali Berisha ka një marrëveshje të bërë në “Rogner” për të ekzekutuar disa persona. Mes tyre edhe mua. Disa i vranë, mua jo”, ka deklaruar Izeti përpara trupës gjykuese, duke folur për një plan të gjerë ekzekutimesh të cilat sipas tij mbajnë autorësinë e ish-kryeministrit Sali Berisha.
Ai ka mohuar të ketë gisht në vrasjen e Azem Hajdarit 12 shtatorin e vitit 1998, ngjarje për të cilën ai është dënuar me 25 vite burg si bashkëpunëtor. Pas seancës së sotme e cila u kryesua nga gjyqtari i “21 janarit” Besnik Hoxha, në 14 qershor do jetë seanca e dytë ku do të shpalosen pretendimet e Prokurorisë. Kërkesa e palës mbrojtëse është rihapja e këtij procesi. Avokati i Haxhisë në këtë seancë, Bashkim Nikolla, ka paraqitur një dokument të SHIK-ut, i cili ishte raport për vrasjen e Hajdarit, ku sipas tij Haxhia nuk është përmendur asnjëherë.
Izet Haxhia sot para gjykatës së Tiranës
Në këtë proces, Izet Haxhia mbrohet nga avokati Bashkim Nikolla, ndërsa pala e akuzës nga Prokurori Petrit Bici. Ndërkohë në seancën gjyqësore merrte pjesë edhe një nga familjarët e Izet Haxhisë, Ismet Haxhia, si dhe miku i tij, Romeo Kara, ish-avokat i OSHEE-së i cili ka denoncuar skandalin e privatizimit të OSSH te çekët e CEZ-it. Për dënimin në mungesë ndaj Izet Haxhisë, Gjykata e Strasburgut ka vlerësuar se procesi ndaj Izetit ka pasur parregullsi.