Vëllai i ministres së Bujqësisë Frida Krifca ka pasur marrëdhënie tregtare me kompaninë “Integrated Energy BV SPV”, përfituese e koncesionit të inceneratorit të Tiranës.
Sipas zbradhjes së disa transaksioneve, shihet se kompania “Integrated Energy” ka depozituar një shumë monetare prej 5 milion lekësh në një firmë e regjistruar në Qendrën Kombëtare të Biznesit si “Person Fizik”. Kompania në fjalë (me NIPT K31424025R) ka si pronar të vetëm të vëllanë e ministres së Bujqësisë, Kastriot Krifca.
Referuar të njëjtit dokument, shuma monetare është depozituar nga kompania e inceneratorit te ajo e Kastriot Krifcës, për dy fatura (e para në 31 Janar 2019 dhe e dyta në 12 Shkurt 2019) – bëhet fjalë për blerje që “Integrated Energy” ka bërë të firma e vëllait të ministres.
Në vitin 2017, “Integrated Energy” fitoi kontratën 128 milionë euro për landfillin dhe inceneratorin e Tiranës.
Sipas hetimeve të SPAK, pas kësaj kompanie qëndrojnë Mirel Mërtiri dhe Klodian Zoto, ashtu si dhe në rastin e firmave që kanë përfituar kontratat koncesionare të inceneratorëve të Elbasanit e Fierit.
Kur Frida Krifca ishte në krye të AZHBR-së, një kompani e lidhur me firmën përfituese të koncesionarit të inceneratorit të Tiranës, ka përfituar fonde.