Skena shqiptare e filmit dhe teatrit do të kishte edhe një kolos dhe figurë të spikatur siç ishte aktori Ilia Shyti.
Ai u lind më 19 korrik 1929 në qytetin e Lushnjës, ku dhe u aktivizua qysh në radhët partizane e më pas, në vitet 1944-1950, me Lëvizjen Amatore Teatrore të qytetit të lindjes, ku edhe punoi si drejtor i Shtëpisë së Kulturës.
Njëkohësisht, ai bënte punën e regjisorit, të skenografit, gjithashtu interpretonte edhe si aktor. U dallua në olimpiadat teatrore si aktor i talentuar, çka në mënyrë të natyrshme, më 1951, falë talentit të tij, u tërhoq dhe u emërua aktor në “Teatrin Popullor” (sot Teatri Kombëtar).
Roli i tij i parë aty ishte ai i “xha Veliut” te “Vajza nga fshati”, e Fatmir Gjatës, më 1952. Ka luajtur shumë role të dyta, duke ravijëzuar karaktere e tipare të spikatur, njerëz të thjeshtë, të kategorive të ulëta sociale, por edhe nëpunës, intelektualë, të përzgjedhur nga shtresa të ndryshme sociale.
Spikati me rolin e “Vehpit” në dramën “Familja e peshkatarit” e Sulejman Pitarkës, duke krijuar një tip origjinal, si nga ana plastike ashtu edhe nga ana psikologjike.
I dha një pamje interesante dhe origjinale figurës së “Nikollaq Jorganxhiut” në komedinë “Karnavalet e Korçës”, të Spiro Çomorës, rivënë në skenë në vitin 1975 në “Teatrin Popullor”, pas asaj të vitit 1964, në të cilën theksoi karakterin prej kurnaci e tregtari.
Ilia Shyti do të ndahej nga kjo jetë më 26 nëntor të vitit 2003, por do të linte pas një bagazh të gjerë rrolesh, karakteresh dhe veprash që kanë mbetur në arkivën e artit dhe kinemasë shqiptare.