Maxhoranca do të vihet para provës së 84 votave në Parlament për të miratuar projektligjin, që parashikon një ndryshim në ligjin “Për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë”.
Duke qenë se vonesat në zbatimin e vetingut kanë bllokuar emërimet në Shkollën e Magjistraturës, maxhoranca ka propozuar një nismë që i lejon hapjen e konkursit për 50 magjistratë të rinj pa veting.
Por kjo nismë është kundërshtuar nga Lëvizja Socialiste për Integrim, pasi emërimi i magjistratëve do të bëhet nga Prokurori i Përgjithshëm i përkohshëm dhe nga Këshilli i Lartë i Drejtësisë.
Pra, nga institucionet aktuale dhe jo nga Këshilli i Lartë i Gjyqësorit dhe Këshilli i Lartë i Prokurorisë.
PS nuk i ka e vetme votat për ta miratuar këtë ndryshim ligjor dhe e vetmja zgjidhje mbetet LSI-ja.
Por dje, ish-ministri i drejtësisë, Nasip Naço, kundërshtoi dje emërimin e magjistratëve të rinj nga KLD-ja dhe Prokurorja e Përgjithshme, Arta Marku.
Sipas tij, magjistratët e rinj do bëhen pjesë e “llumit të KLD-së” aktuale.
“Mos i përzieni këta magjistratë me një pjesë të llumit të Këshillit të Lartë të Drejtësisë, do t’ju lutesha përsëri, ju lutem mos i përzieni.
Në qoftë se dikush do të bëjë qokën e radhës, e ka gabim që ngatërron Reformën në Drejtësi.
Sepse ju doni t’ia çoni Këshillit të Lartë të Drejtësisë, por zotëri vendet vakante nuk i shpall KLD-ja dhe prej dy vjetësh e kam parë që nuk e shpall as Tiranën, as Durrësin dhe shpall vetëm Tropojën, për t’i thënë që do të vish në Tiranë, ke punë me mua, ndërtoji marrëdhëniet me mua që të të sjell në Tiranë”, ka thënë dje Naço.
Por kryetari i Komisionit të Ligjeve ka thënë se për këtë nismë do të lihet kohë që ta miratojnë. Ai është shprehur se vonesat në veting kanë krijuar një ngërç dhe si i tillë, duhet të vihet në funksion Shkolla e Magjistraturës.
“Gjithsesi, le të mbetemi parimisht që do të ndiqet një parim i meritës së studentëve apo kandidatëve magjistratë në emërimin që do të bëjë Këshilli i Lartë i Drejtësisë, ky aktuali që është”, ka thënë Ulsi Manja./Panorama