Nafta është me bollëk në Arabinë Saudite. Vendi në Gadishullin Arabik është prodhuesi më i madh i naftës bruto në botë dhe ai me rezervat më të mëdha. Vetëm në vitin 2022, shitja e karburantit gjeneroi të ardhura prej më shumë se 320,000 milionë dollarësh për këtë vend sipas informacionit të publikuar nga portali i specializuar “World Energy Trade”.
Në Arabi, që është një vend i pasur, dollarët janë gjithashtu të bollshëm, të njohur dhe ndryshe në zhargonin e përditshëm si petrodollarët, kanë lejuar njerëzit që kanë fuqi të paguajnë për luks si makinat e nivelit të lartë, shtëpi luksi që më shumë ngjajnë me pallate gjigante, ndërtesa madhështore, bizhuteri ari, orë të shtrenjta.
Praktikisht të fiksuar pas gjërave që shkëlqejnë. Këto petrodollarë kanë tërhequr drejt Arabisë Saudite edhe mjaft futbollistë të njohur që shkëlqyen në Europë, por që tashmë janë në perëndim të karrierës së tyre dhe po “nxitojnë” të koleksionojnë miliona të tjerë duke zgjedhur të luajnë në Ligën Pro League Saudite, e cila është divizioni i parë i futbollit saudit. Ka dhe nga ata veteranë që u kanë thënë jo milionave të shumtë, ku rasti më i freskët është ai i Luka Modriçit, i cili në moshën 38 vjeç zgjodhi të qëndronte në Madrid te Reali, duke lënë pas miliona euro të ofruara në gadishullin arabik.
KRISTIANO LOKOMOTIVA – Për të tërhequr pas një tren të tërë është lokomotiva. Dhe Arabia Saudite ka zgjedhur lokomotivën më të mirë të mundshme, Kristiano Ronaldon. “Unë kam hapur kutinë dhe të tjerë do të më ndjekin”, do të deklaronte pak javë më parë Kristiano Ronaldo, udhërrëfyesi “par excellence” që i ka dhënë udhë një vale të pafund lojtarësh që kanë zgjedhur të heqin dorë nga ligat e rëndësishme europiane dhe kanë nxituar të zbarkojnë në Arabinë Saudite.
Portugezi është gjithashtu treguesi kryesor i potencialit të jashtëzakonshëm financiar të kampionatit të këtij vendi. Ata jo vetëm kanë miliona të panumërt për të shpenzuar në futboll, por janë të ndihmuar dhe nga politika fiskale e këtij vendi që nuk njeh taksim. sistemi fiskal në Arabinë Saudite është shumë i volitshëm për çdo qytetar të këtij vendi. personat fizikë që jetojnë në Arabinë Saudite nuk taksohen!
Kështu për shembull nëse dikush fiton 200 milionë euro – siç të shumtë janë ata që mendojnë se kjo ishte shuma për të cilën Kristiano Ronaldo u bind për të shkuar në vendin e Gjirit – në fund të vitit ato do t’i ketë neto në xhep, ose do të paguajë një minimum gati të pallogaritshëm.
6 MUAJT E PARË – Le të themi se për një futbollist – por rregulli vlen për çdo qytetar të huaj që vendos të shkojë e të jetojë në Arabinë Saudite për arsye pune – janë tri momentet fiskale.
Për një futbollist momenti i parë fiskal zgjat nga momenti i firmës në dhjetor të të njëjtit vit kalendarik: aq shumë para sa ka fituar në 6 muajt e mëparshëm në Arabinë Saudite duhet të deklarohen në nivel fiskal në vendin e fundit të rezidencës: në rastin e Kristiano Ronaldos në Angli, në Spanjë për Karim Benzemanë, në Itali për Brozoviçin sa për të përmendur tre shembuj konkretë. Deri këtu nuk ka ndonjë surprizë të madhe, sepse çdo vend ka rregullat e tij, politikën e tij fiskale, që paraprakisht është e njohur për vetë futbollistin para se të shkonte në atë vend.
NUK PAGUHET – Për t’u bërë saudit në kuptimin fiskal, do të duhet një leje qëndrimi në këtë vend për të paktën 183 ditë. Që do të thotë se nga 1 janari 2024 për të gjithë lojtarët që në këto javë po “emigrojnë” drejt Arabisë Saudite mund të kalojnë në një taksim zero. Është kjo faza e dytë dhe ajo ku përfitohet më shumë. Deri në momentin që ata do të vijojnë të qëndrojnë në Arabinë Saudite as që nuk do të duhet të shqetësohen për sa i përket taksave.
Ata nuk do të kenë asnjë taksë për të paguar edhe pse duhet kujtuar se Arabia Saudite në të vërtetë nuk është një vend “tax free”. Përkundrazi, rezidentët sauditë (vendësit) paguajnë 22% të të ardhurave të tyre në formë taksash, por në rastin e të huajve kjo shifër reduktohet në vetëm 2% dhe kjo paguhet nga punëdhënësi.
Në të njëjtën mënyrë, arabët ia kushtojnë 2.5% të të ardhurave atij që ndryshe njihet si “zekat”, një taksë e parashikuar nga ligji islamik dhe që jepet si një fond bamirësie. Praktikisht ky është një sistem solidariteti popullor, por që ekziston vetëm në këtë vend dhe jo në shtetet e tjera të Gjirit. Thënë kjo, lojtarët e huaj që shkojnë në Arabinë Saudite nuk pengohen që dhe ata të kontribuojnë në këtë fond solidariteti. Aq më shumë që nuk janë të paktë lojtarët e besimit islam që po transferohen në Arabi, ku një nga shembujt është Karim Benzema, i transferuar këtë verë nga Reali. E në total po flasim për një volum prej 600 milionë eurosh.
Në këtë det parash, i vetmi problem, nëse mund të quhet i tillë, është qëndrimi i klubeve. Sipas asaj çfarë ka bërë me dije “The Athletic”, vetëm në 12 muajt e fundit, në FIFA kanë mbërritur të paktën 50 denoncime për mospërmbushje të kontratës nga klubet saudite. Al-Ahli për shembull ka pasur 4 akuza për mospërmbushje të kontratës dhe detyrimeve kontraktuale në 16 muajt e fundit.
RIKTHIMI – Nëse gjithçka shkon mirë e bukur dhe një lojtar i huaj që luan në Arabinë Saudite vendos të kthehet në vendin e tij të origjinës apo të banimit, ose të vijojë karrierën e tij diku gjetkë, ata do të duhet të marrin me vete dhe milionat e fituara në Arabi.
Këtu rrugët fiskale ndahen sërish, sepse siç e përmendëm më lart, çdo shtet ka politikën e tij tatimore. Ka nga ato vende që nuk kërkojnë asnjë grosh, por kjo temë natyrisht që është delikate, sepse ndryshon nga vendi në vend. Situatat janë përmirësuar vitet e fundit edhe në Arabinë Saudite, teksa shteti arab, në përpjekjet e veta për të stimuluar investimet në vend ka arritur marrëveshje me 56 vende të ndryshme në botë.
Praktikisht, falë sistemit të saj fiskal, sa më shumë të qëndrosh në Arabinë Saudite aq më shumë fiton. Kjo është arsyeja për se lojtarët që po transferohen në Arabinë Saudite po nxitojnë të nënshkruajnë kontrata afatgjata. Me të mbërritur në parajsë, qëndrimi atje shihet jetëgjatë./ Panoramasport