Sapo Kuvendi i hapi rrugën SPAK-ut për arrestimin e Arben Ahmetaj, një nga avokatët e ish-zëvendëskryeministrit zgjodhi këtë moment për t’i dhënë fund dilemave se ku ndodhet ish-numri 2 i qeverisë.
“Zoti Ahmetaj ndodhet pranë vajzës së tij në Angli. Do të vij në Shqipëri kur të ketë liri”, tha ai.
Analisti lexon mesazhet e koduara të Arben Ahmetajt: Nuk kanë vlerë kërcënimet nga ekzili, të vijë këtu të përballet me drejtësinë
Por çfarë ndodh me Arben Ahmetajn tashmë që 117 kolegë votuan për t’i hequr imunitetin? Proceduralisht, Kuvendi fillimisht duhet t’i nisë shkresën Prokurorisë së Posaçme për dhënien e autorizimit për arrestimin e Arben Ahmetajt.
Tashmë SPAK nuk ka më pengesa për t’i kërkuar Gjykatës së Posaçme arrestimin dhe kontrollin në banesën e Arben Ahmetaj.
“Shumë shpejt GJKKO do caktojë seancë mbi kërkesën e SPAK. Në momentin që GJKKO del me vendim për caktim mase, Ahmetaj del për çështje orësh në kërkim. Pas kësaj organi i akuzës i nis shkresën policisë e cila duhet të ekzekutojë vendimin e gjykatës”, tha juristi Redi Ramaj.
Do të jetë gjyqtari që do të vendosë nëse do të pranojë kërkesën e SPAK për masën e sigurisë të “arrestit burg” apo nëse do të caktojë një tjetër masë sigurie gjatë fazës së hetimit për ish zv/kryeministrin Ahmetaj. Ndërkohë për kontrollin e banesës duhet vetëm që urdhër-ekzekutimi i SPAK të firmoset nga gjyqtari paraprak i GJKKO-së
Pavarësisht se vetë Ahmetaj ka konfirmuar se është larguar nga vendi, dhe faktit të shprehur publikisht nga avokati se ndodhet në Angli, në rast se Gjykata firmos urdhër arrestin e kërkuar nga SPAK, Policia nis kërkimet brenda vendit për një afat 3 javor. Nëse nuk e gjen brenda kufirit, atëherë Ahmetaj shpallet në kërkim ndërkombëtar dhe njoftohen të gjithë agjencitë ligjzbatuese partnere për lokalizimin dhe arrestimin e tij.
“Fakti që është jashtë, masa nuk mund të ekzekutohet direkt, por duhet të kalojë tek organet partnere dhe varet nga prokuroria për të ekzekutuar vendimin”, tha juristi Ramaj.
Ahmetaj nuk ka më imunitet, por vijon të jetë deputet i Kuvendit të Shqipërisë, të paktën deri në marrjen e një vendimi të formës së prerë nga gjykata, nëse deri atëherë ish-numri 2 i qeverisë, nuk do të japë dorëheqjen. Megjithatë, nëse nuk paraqitet për 6 muaj në Kuvend Ahmetaj e humb mandatin.