Dhimbja është përhapur në të gjithë Brazilin për vdekjen e 23-vjeçares Gabriela Agnelli, e cila u plagos rëndë kur u godit në qafë me një shishe birre gjatë përleshjeve mes tifozëve të Palmeiras dhe atyre të Flamengos të shtunën mbrëma.
Një video e postuar në Twitter dyshohet se ka kapur momentet e para pasi 23-vjeçarja u godit.
Sipas Sky News, 23-vjeçarja, e cila ishte një tifoze e Palmeiras, pësoi dy arreste kardiake pasi u godit jashtë stadiumit Allianz Park.
Gabriella iu nënshtrua një operacioni pas sulmit, tha vëllai i saj Felipe, duke shtuar se 23-vjeçarja kishte kryer operacione në zemër, mushkëri dhe mëlçi.
“Ne nuk mund të pranojmë që një vajzë 23-vjeçare mund të jetë viktimë e brutalitetit në një vend të destinuar për argëtim”, tha Palmeiras në një deklaratë, duke i kërkuar policisë të hetojë rrethanat e sakta të tragjedisë “që lëndoi futbollin brazilian”.
Autoritetet e Sao Paulos njoftuan se shishja që plagosi për vdekje 23-vjeçaren u hodh nga 26-vjeçari Leonardo Santiago, i cili përballet me akuzën e vrasjes.
Burimet policore thanë se ngjarja vdekjeprurëse ndodhi kur tifozët e Palmeiras që prisnin jashtë portës së stadiumit, pikasën dy tifozë të Flamengos, i ndoqën dhe pikërisht atëherë 26-vjeçari hodhi shishen që goditi 23-vjeçaren Gabriela. /tesheshi.com/